Levizja VETEVENDOSJE! Konferenca per media 23 mars 2012

Day 1,585, 08:23 Published in Albania Serbia by Ban187
VIDEOLINKU NE YOUTUBE - Lëvizja VETËVENDOSJE! Konferenca për media 23 mars 2012

(Fjala e Liburn Aliut në konferencën për projektligjin e Hoçës së Madhe)


Dita e djeshme dhe e pardjeshme, pra datat 22 dhe 23 mars, ishin ditët kur mbi komisionin për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim rural, Mjedis dhe Planifikim Hapësinor u bë presion për ndryshim të amendamenteve të miratuara më parë në këtë komision për Projektligjin për Fshatin Hoçë e madhe. I tërë procesi ishte në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku sipas nenit 57, pika 3, edhe qeveria ka të drejtë të bëjë amendamente, por vetëm 2 javë pas miratimit të projektligjit në lexim të parë.


Gjatë mbledhjes, mbi komisionin u bë presion, u caktuan pauzat dhe kohëzgjatja e tyre nga kryeministri Thaçi, dhe për çdo amendament që u hodh në votim duhej shikuar (përfshirë edhe kryeministrin) nga, Pieter Feith,(PCN) për aprovim.


Edhe pse gjatë diskutimit ata (Ministri Gashi, Kryeministri Thaçi dhe Pieter Feith) pranonin argumentet e dhëna nga deputetët, në procesin e votimit ishin ata që vendosën nëse një amendament do të kthehet, do të ndryshohet dhe për më tepër si do të ndryshohet.


Kjo u synua posaçërisht me Amendamentin 4 për Nenin 4 të projektligjit, në lidhje me numrat e përfaqësuesve në Këshillin e fshatit e që nuk u arrit dhe Amendamentin 7, për Nenin 5, pika 5 të projektligjit, e që lidhet me marrëdhënien në mes të Këshillit të fshatit dhe Autoriteteve komunale, amendament ky që u miratua.


Amendamenti 7 (Amandamenti Thaçi – Faith)


Neni 5, paragrafi 5, riformulohet si në vijim:


Në rast të mosmarrëveshjeve në mes të Këshillit dhe autoriteteve komunale, për çështjet që kanë të bëjnë me ushtrimin e autoritetit të kufizuar të fshatit sipas neneve 6, 7 dhe 9 të këtij ligji, palët i referojnë në KZM, dhe nëse është e arsyeshme në institucionet kompetente qendrore dhe në Gjykatën kompetente, për shqyrtim.


Amendamenti 7, autorë të të cilit janë kryeministri Thaçi dhe Pieter Feith, e ka mungesën e logjikës, edhe në përpilim, e edhe në përmbajtje. E drejta për referim nëse është e arsyeshme, është e pa plotë dhe e paqartë. E qartë këtu është vetëm pjesa e dispozitës që flet për referimin në KZM. Këtu KZM mbetet si autoritet mbi gjykatat dhe institucionet qendrore edhe pse me kompetenca të shkruara në pako të Ahtisarit, do të duhej të mbetej në cilësinë e një këshilli. Amendamenti nuk ka logjikë edhe për nga përmbajtja e tij. Në këtë amendament flitet për çështjet që lidhen me Nenet 6, 7 dhe 9.


Neni 7 i projektligjit për fshatin Hoçë e madhe, ka të bëjë me autoritetin e kufizuar të fshatit në fushën e Planifikimit rural. Dhe tani me këtë amendament mosmarrëveshjet në mes të Këshillit të fshatit dhe autoriteteve komunale në fushën e planifikimit rural, referohen në KZM (Këshilli për Zbatim dhe Monitorim), i cili sipas Pakos së Ahtisarit ka kompetencë vetëm në lëmin e trashëgimisë kulturore. Nuk ka logjikë që çështjet që lidhen më planifikim rural t’i adresohen autoritetit që nuk ka kompetencë në këtë fushë, (duke mos harruar në asnjë moment që vetë Pakoja e Ahtisarit është e padrejtë në thelb).


Shkelja e ligjeve tjera


Me këtë amendament KZM-së përpos që i jepen kompetenca për të cilat nuk është e kualifikuar, asaj i zgjerohet edhe hapësira e veprimit. Me ligjin për zonat e Veçanta, KZM është kompetente vetëm për zonat e veçanta dhe me këtë amendament, KZM është autoritet mbi tërë fshatin.


Përjetësimi i KZM-së.


Sipas pakos së Ahtisarit, puna e KZM-së lidhet drejtpërdrejtë me PCN (Përfaqësuesin Civil Ndërkombëtar), madje edhe kryesuesi i KZM-së zgjidhet nga PCN. Ishte paraparë si organ që do të lehtësonte punën në hartimin e ligjeve në lidhje me Trashëgiminë Kulturore e cila sipas pakos së Ahtisarit quhet “serbe”. Kjo lidhe me PCN-në e bën atë të përkohshme, pasi edhe PCN konsiderohet të jetë i përkohshëm dhe madje të largohet nga Kosova këtë vit. Futja e KZM-së në ligj dhe dhënia e kompetencave që të vendosë mbi mosmarrëveshjet në mes të Këshillit të fshatit dhe autoriteteve komunale, e bën atë të përjetshme.


Projektligji për fshatin Hoçë e madhe është një projektligj i padrejtë dhe i keq. Amendamentet nuk e kanë bërë të mirë. Nëse Amendamenti 4 është një përmirësim, ende ekziston rreziku që edhe ky amendament të hidhet poshtë në seance të kuvendit.


Ligje të tilla që po miraton Kuvendi nën presion po e zhveshin legjislativin nga esenca e tij, por mbi të gjitha ajo çfarë po ndodh në të vërtetë është se heqja e mbikëqyrjes së pavarësisë, lidhet vetëm më zyrën e Pieter Faith, ndërsa konceptin e mbikëqyrjes po e transmetojnë në detajet e secilit ligj, duke deformuar funksionalitetin e çdo hallke institucionale të Republikës së Kosovës.



Grupi parlamentar i Lëvizjes VETËVENDOSJE!