Historia e një heroi [ Komandant Petriti]

Day 2,376, 09:51 Published in Albania Albania by Komandant Petriti
Remzi Ademaj – Komandant Petriti

E kaluara e hidhur e Kosovës martire nën kthetrat e shovinizmit serb, që shekuj me radhë kishte djegur e rrjepur këtë tokë të pafajshme, kishte prerë e vrarë qindra e mijëra shqiptarë, që kishte derdhur lotë krokodili për këtë tokë të “premtuar”; te shumë patriotë shqiptarë kishte mbjellur ndjenjën e urrejtjes dhe të mosdurimit. Edhe familja e Mulla Rexhepit nuk kishte kaluar më lehtë nga ky barbar i tërbuar. Zanafilla e torturave, filloi me arrestimin dhe zhdukjen pa gjurmë të stërgjyshit Asllan Rexhës, bashkveprimtarit e patriotit të pavdekshëm Hasan Prishtinës, i cili më 1915 organizoi dhe udhëheqi kryengritjen e armatosur në këtë anë kundër pushtuesit serb, zhdukjen e pagjurmë të xhaxhait Hamitit, vuajtjet dhe përndjekjet e gjyshit të tij, Mulla Rexhepit, i cili tri herë diferencohet (leçitet) nga sistemi i atëhershëm komunist i fshatit. Torturat e rënda me burgimet e njëpasnjëshme, me invaliditetin e përjetshëm të xhaxhait Liman; mbollën dhe lanë vrragë të hidhur në shpirtin e njomë të patriotit, revolucionarit, humanistit dhe komandantit të shtabit lokal të Prizrenit me rrethinë, REMZI Bajram ADEMAJT – Komandant PETRITIT.Ai lindi më 3 qershor 1952, në Zhur, ku kreu shkollën fillore. Të mesmen e vazhdoi në gjimnazin e Prizrenit, e më pastaj, për të siguruar egzistencën e familjes mori rrugën e mërgimit. Me veprimtari politiko – patriotike, aktivisht është marrë që nga viti 1979. Në Shtutgart të Gjermanisë, ra në kontakt me vëllezërit Gërvalla dhe patriotin e shquar, Kadri Zekën, nga të cilët edhe më shumë u ushqye me ide patriotike dhe revolucionare. U angazhua të punojë në Organizatën politiko – atdhetare “Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe viseve tjera shqiptare”, ku dallohet me punën e tij të palodhur. Kur në pranverën e vitit 1981, shpërthyen demonstratat e studentëve në Prishtinë, Remziun, e shohim në ballë të demonstratave në shtetet e perëndimit si organizator dhe udhëheqës i tyre. Po në këtë vit, burgoset vëllau i tij më i ri, Shabani, i cili ngriti zërin për mosdënimin dhe diferencimin e studentëve, organizuar nga KQ i Prizrenit, për të cilën dënohet me dy muaj burg. Nëpër shumë takime që pati me shokë, Remziu rrëfente: “Duke njohur historinë e familjes time, e cila është e njëjtë me fatin e popullit tim, unë nuk munda të qëndroj indiferent dhe si i tillë kam filluar të merrem me veprimtari kundër pushtuesit serbo-sllav dhe njëkohësisht të kërkoj bashkëmendimtarë dhe bashkëpunëtorë që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet çështja e jonë kombëtare”. Nga Shtutgarti, ishte i pari që solli “Lajmëtarin e lirisë”, “Zërin e Kosovës” – gazeta të cilat zgjuan ndjenjat e atdhedashurisë te shumë të rinj zhurjanë. Aktivitetit të tij patriotik, i ra në gjurmë UDB-ja jugosllave dhe për këtë shpallet si i rrezikshëm. Kështu, më 11 Dhjetor 1985, në rrugë për të kryer një detyrë të rëndësishme, në të mirë të kombit shqiptar, arrestohet nga policia italiane në Itali, e cila në marrëveshje me UDB-në jugosllave ia dorëzon policisë jugosllave.
Remziu, burgoset në Nova Goricë e pastaj transferohet në burgun e Prizrenit, ku iu nënshtrua torturave më çnjerëzore për gjashtë muaj të hetuesisë dhe dënohet me gjashtë vjet burg. Vuajtjen e dënimit e vazhdoi në burgun e Lepogllavës, Gospiqit dhe të Stara Gradishtës së Kroacisë. Jeta e burgut, nuk e luhati aspak vendosmërinë e tij që të merret me veprimtari revolucionare, po në zemrën e tij shtoi urrejtjen e përjetshme ndaj shovinizmit serb. Këtu, bacë Ademi,e kaliti këtë zemër shqiptari ,që të qëndrojë i pamposhtur e gjithmonë në ballë të furtunës deri në çlirimin definitiv të Kosovës. Po në këtë vit, nga organet e hetuesisë, merret në pyetje vëllau tjetër i Remziut, Hamiti, me pretekst se është marrë me veprimtari armiqësore dhe kundërrevolucionare, por hetimet ndaj tij, zgjatën pak, me qëllim që të mos dekonspirohen planet e organeve të sigurimit,të cilat, i arrestuan pothuaj të gjithë anëtarët e familjes së Bajram Ademajt. Pas vuajtjes së dënimit,Remziu, për t’iu shmangur vëmendjes së rrjetit të spiunazhit dhe klyshëve proserb, u angazhua në SH.B. –“Nëna Tereza”, në Zhur, ku më 17 Gusht 1990, zgjidhet kryetar i saj. Përveç punës humanitare që e kreu me mjaft përpikmëri, inicoi edhe regjistrimin e popullsisë së Zhurit, qëllimi i së cilës ishte aftësimi, taktiko-ushtarak dhe afrimi e mobilizimi i të rinjve. Krahas punës në këtë drejtim,Remziu, u zgjodh edhe kryetar i NKMDLNJ-së të Zhurit me rrethinë, detyrë kjo që e përcolli deri në rënien e tij heroike. Si duket kjo detyrë dhe puna e palodhur ,atij iu duk e pakët, prandaj u angazhua dhe udhëhoqi Shërbimin Informativ të Kosovës. Kjo punë, i bie në sy policisë serbe, për ç[arsye ,UDB-ja ia bastis shtëpinë dhe arreston Remziun. Pas një kohe të kaluar në paraburgim, në burgun e Prizrenit , dënohet me tre vjet e gjysmë heqje lirie. Pas gjashtë muajsh, lirohet, për tu mbrojtur në liri dhe në Janar të vitit 1998, vendimi bëhet i plotëfuqishëm. Pranvera e këtij viti, do të futet në historinë më të lavdishme të popullit shqiptar, si histori e luftës së hapur të UÇK-së, ku u dha kushtrimi për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës mëmë nga Komandanti legjendar Adem Jashari, e për Remziun kish ardhur koha që armikut t’ia shpaguante atë që ia kishte ngarkuar në shpinë gjithë jetën. Kjo lëngatë që e kish kapluar Kosovën martire, nuk ishte e ditëve të sotme. Kjo farë e ligë ,ishte hedhur qysh herët e sot i kishte ardhur koha që këto rrënjë të malluara të shkulen njëherë e përgjithmonë dhe më 2 qershor 1998, në vend që të shkojë në burgun e Prizrenit, në vend që të qëndrojë prapa grilave serbe, ai kishte marrë rrugën për në Drenicën trime për t’iu bashkuar ushtarëve të lirisë, për ta mbrojtur këtë nënloke nga kjo ulkonjë që si duket i kishte ardhur koha që të ngordhte. Në Drenicë, u zgjodh komandant lokal i Shtabit të Prizrenit me rrethinë dhe u kthye komandant Petriti për të konsoliduar strukturën e shtabit. Ecte me hapa të sigurtë. Vepronte me mjaft mençuri, pa i rrezikuar kurrë shokët, për veten e tij. Aktiviteti luftarak, i këtij trimi, ndalet më 15 gusht 1998, në orën 23 e dhjetë minuta.Kjo ndodhi në kohën kur po kthehej nga një udhëtim zyrtar .Duke kryer detyrat më të ndershme të Shtabit Qendror të UÇK-së, bie në pritë dhe vritet te kisha e Grazhdanikut nga forcat policore-ushtarake serbe. Ai ra, por ra si burrat për të mos vdekur kurrë. Vepra dhe puna e këtij trimi shqiptar ,do të mbetet udhërrëfuese e brezave që jetojnë e që do të vijnë më pastaj, për t[ua ndezur në shpirt zjarrin luftarak, në mbrojtje të tokës mëmë. Varrimi i komandant Petritit, u bë në mënyrë madhështore dhe me nderime të larta ushtarake në “Varrezat e dëshmorëve” në Lybeçevë (Malësia e Vrrinit) të Prizrenit më 16 Gusht 1998.

Lavdi


KP Team