Historia e Ilireve

Day 2,133, 01:46 Published in Albania Albania by Amarildo Memia

Ilirët ishin popull i lashtë i Gadishullit Ballkanik dhe paraardhësit e popullit shqiptar. Disa historianë besojnë se ilirët ishin trashëgimtarët e vetëm të pellazgëve, banorët më të lashtë të siujdhesës.

Në lashtësi u krijuan marrdhënie mes fiseve ilire dhe grekëve. Në vitin 342 p.e.s. Demosteni u përpoq të bënte për vete ilirët në luftë kundër Maqedonasve. Në qindvjeçarin e II dhe III p.e.s. fisi ilir i ardianëve krijuan një mbretëri me qendër Shkodrën. Pas pushtimeve romake në fillim të qv.III mbretëria ilire u kufizua me gjysmën e saj veriore.

Vendndodhja:
Sipas Herodotit trojet e ilirëve shtriheshin në shek e 5 p.e.r nga Adriatiku në Morava në lindje dhe përkatësisht deri Etsch në perëndim.


Origjina:
Problemi i prejardhjes dhe i rrugës së formimit të trungut etnik ilir me veçoritë e tij gjuhësore e kulturore, ka përbërë një nga synimet më kryesore të ilirologjisë. Rreth tij janë shfaqur pikëpamje të ndryshme, të cilat ndriçojnë në mënyrë të mjaftueshme gjithë këtë proces të ndërlikuar etnogjenetik. Kërkimet komplekse arkeologjike, gjuhësore dhe historike të kohëve të fundit e kanë vendosur atë mbi një bazë më të shëndoshë dhe e kanë futur në një rrugë më të drejtë zgjidhjeje. Sado të ndryshme që mund të paraqiten nga forma teoritë mbi prejardhjen e ilirëve, në përmbajtje ato shprehin vetëm dy pikëpamje, njëra nga të cilat i quan ilirët si të ardhur në Gadishullin Ballkanik, ndërsa tjetra si popullsi autoktone të formuar në truallin historik të Ilirisë. Midis teorive që i quajnë ilirët të ardhur në Gadishullin Ballkanik, ka mospërputhje si përsa i takon vendit nga vijnë, ashtu edhe kohës së ardhjes së tyre. Disa e lidhin përhapjen e tyre me kulturën e Halshtatit, të tjerë me kulturën e Fushave me Urna, apo me kulturën Luzhice. Sipas tyre, në kapërcyell të mijëvjeçarit të dytë p.e.sonë ilirët morën pjesë në lëvizjet e popujve që njihen me emrin dyndja dorike, egjeane, apo panono-ballkanike dhe duke zbritur nga Evropa Qendrore, në fillim të epokës së hekurit, u ngulën në Gadishullin Ballkanik në trojet e tyre historike. Pikëpamje më e re është ajo që e konsideron kulturën ilire si një dukuri të formuar historikisht në vetë truallin ilir në bazë të një procesi të gjatë dhe të pandërprerë të saj gjatë gjithë epokës së bronzit dhe fillimit të asaj të hekurit. Kjo tezë e zhvillimit të pandërprerë të kulturës, që jep mundësi të flitet edhe për një zhvillim të pandërprerë etnik, gjen prova të shumta në territorin historik të ilirëve, sidomos me zbulimet e bëra në truallin e Shqipërisë në vendbanimin e Maliqit dhe në varrezat tumulare të Pazhokut, të Vajzës, të Matit etj., kurse jashtë vendit tonë në varrezat tumulare të pllajës së Glasinacit (Bosnjë) e gjetkë. Përballë këtyre zbulimeve bëhet fare e paqëndrueshme teza që e lidh etnogjenezën e ilirëve me kulturën e Halshtatit apo me bartësit e kulturës së fushave me urna. Trualli i kësaj kulture të fundit nuk mund të lidhet kurrsesi etnikisht me ilirët. Duke krahasuar truallin e kulturës së fushave me urna me atë të kulturës së mirëfilltë ilire Mat-Glasinac në rajonin qendror të Ilirisë, vihen re ndryshime thelbësore si në kulturën materiale në qeramikë, në objektet metalike etj., ashtu edhe në atë shpirtërore, që ka një rëndësi të veçantë në përcaktimin etnik të një popullsie. Trualli i Panonisë ndjek mënyrën e varrimit me djegie duke vendosur mbeturinat e saj në vazo të veçanta (urna), ndërsa ai i Matit dhe i Glasinacit, varrimin në tuma e kryesisht me vendosje kufome. Këto ndryshime në kulturë i veçojnë panonët edhe si një grup etnik më vete që dallohet nga ai i ilirëve. Përveç kësaj të dhënat arkeologjike kanë treguar se dyndjet panono-ballkanike, dorike a egjeane nuk e përfshinë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik dhe si pasojë nuk shpunë në ndryshime dhe zhvendosje të theksuara të ilirëve. Kjo shihet qartë sidomos në territorin e vendit tonë, ku materialet arkeologjike të kësaj kohe, flasin jo për ndërprerje në zhvillimin autokton të kulturës, por për një vazhdimësi të saj që nga epoka e hershme e bronzit, pavarësisht se disa shfaqje të reja në prodhimin metalurgjik, të shek. XI-IX p.e.sonë, mund të lidhen me ndikimet kulturore të ardhura përmes dyndjeve nga veriu

Trualli historik i ilirëve:
Sipas burimeve historike, nocioni ilir - Iliri, ka pasur gjatë historisë së vet një kuptim disi të ndryshëm gjeografiko-historik. Me emrin ilir në fillim njiheshin vetëm krahinat jugore të ilirëve. Këtu banonin sipas burimeve më të vona letrare edhe ilirët e mirëfilltë, siç i quan ata historiani romak, Plini Plak. Ky emër u shtri gradualisht prej grekëve edhe në vise të tjera të njohura më vonë prej tyre, popullsitë e të cilave, pavarësisht nga veçoritë e zhvillimit të tyre lokal, paraqitnin elemente të një trungu të përbashkët etno-kulturor. Në kohën e historianit grek Herodotit (shek. V p.e.sonë), emri ilir shtrihej mbi një territor mjaft të gjerë, i cili arrinte në lindje deri tek rrjedhja e lumit Moravë. Një shekull më vonë, sipas Pseudo-Skylaksit, ky emërtim do të përfshinte territore akoma më të gjera në veriperëndim të Ballkanit. Sipas tij ilirët shtriheshin përgjatë Adriatikut duke filluar që nga liburnët në veri e deri tek kufijtë e Kaonisë në jug. Përhapjen më të madhe dhe përfundimtare të emrit dhe të territorit ilir, na e jep Apiani i Aleksandrisë, i cili duke përmbledhur gjithë sa ishte thënë përpara tij mbi topografinë e ilirëve, shkruante: “grekërit quanin ilirë ata që banonin mbi Maqedoninë dhe Trakinë, që nga kaonët dhe thesprotët deri tek lumi Istër. Dhe kjo është gjatësia e vendit, ndërsa gjerësia prej maqedonëve dhe thrakëve malorë tek paionët deri në Jon dhe në rrëzë të Alpeve”. Nga studimet më të reja të mbështetura jo vetëm në burimet e shkruara historike, por edhe në të dhënat arkeologjike si dhe në ato gjuhësore, rezulton se trualli historik i ilirëve përfshinte tërë pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, që nga rrjedhja e lumenjve Moravë e Vardar në lindje, e deri në brigjet e Adriatikut e detit Jon në perëndim, që nga lumi Savë në veri, e deri tek gjiri i Ambrakisë në jug, pra deri në kufijtë e Helladës së vjetër. Burimet historike dhe ato arkeologjike e gjuhësore dëshmojnë për praninë e ilirëve edhe jashtë trevës historike të tyre. Grupe të tëra ilirësh, midis tyre dhe mesapët dhe japigët u vendosën në Itali gjatë bregut të Adriatikut dhe në krahinat jugore të saj. Në Azi të Vogël u shpërngulën grupe popullsish dardane, paione, të cilat do të përmenden edhe në eposin homerik si pjesëmarrës, përkrah trojanëve në luftën e tyre kundër grekëve. Prania e elementit etnik ilir është vërtetuar arkeologjikisht nga burimet e shkruara edhe në rajonet veriore të Maqedonisë e të Greqisë, si në Akarnani e në Etoli. Të gjitha këto lëvizje grupesh etnike ilire përtej trevës historike të tyre ndodhën, siç mund të provohet dhe arkeologjikisht, kryesisht gjatë dyndjes së madhe panono-ballkanike, e cila siç dihet fillon të vërshojë në drejtim të jugut që në fund të shek. XIII-XII p.e.sonë. Meqenëse fatet e tyre historike, në trojet e reja ku ato u vendosën, janë thuajse krejt të ndara nga bota e mirëfilltë ilire-ballkanike, këto grupe të emigruara nuk do të përfshihen në shqyrtimin e mëtejshëm të historisë ilire.

Vote+Sub