Prezent në një traditë të harruar

Day 2,154, 10:13 Published in Albania North Macedonia by CmenduriaMB

Në fillin e gjatë të jetës ka shumë ngjarje,persona apo ndjesi për të cilat ja vlen të shkruash.Nëse do të më duhej të këpusja një të tillë nga “filli” im,do të vecoja një ngjarje që më transmetoi një mbresë krejtësisht të vecantë.Pikërisht një gjë e tillë më ndodhi gjatë udhëtimit për në Himarë.

Ky udhëtim nuk kishte asgjë të vecantë derisa mbërrita në vendin fatkeq të Qafës së Vishës,kun ë 21 maj të 2012 ndodhi tragjedia famëkeqe.Ajo që më tërhoqi vëmendjen,ishte që disa gra të moshuara himariote ishin gjithashtu në atë vend.E kuptova menjëherë se po ndeshesha për herë te parë me vajin me ligjërime,për të cilin kisha dëgjuar aq shumë.

Ishte me të vërtetë një “ritual” tepër i fuqishëm nga ana emocionale.Zëri i tyre lëkundej përvuajtshëm,lotët ridhnin pa pushim dhe gjestet trupore sintonoheshin me ndjenjat momentale.Të gjitha këto elemente e bënin këtë pamje me të vërtetë monumentale.Fjalëve u kushtohej një rëndësi e vecantë dhe përzgjedhja e tyre të bënte të mendoje se ishin shkruar nga një shkrimtar me famë,ndërsa lëvizjet aq të organizuara të krijonin përshtypjen e një koreografie të menduar për tu paraqitur në teatër.Mu duk e pabesueshme që gjithcka po bëhej ne improvizim e sipër!Cdo gjë pasqyronte shpirtin e këtyre grave fisnike.

Ndjesitë e të qënit prezent në nje skenë të tillë është e pamundur ti përshkruash.Fillimisht unë shtanga në vend,i humbur në thellësinë e këtij vaji.U mahnita nga sinqeriteti i këtyre grave që vajtonin në mënyrë të tillë për disa të rinj që nuk i kishin takuar kurrë.Ndjeva një respekt të paimagjinueshëm për këto gra dhe të gjithë njerëzit e krahinës,që e konsideronin këtë humbje jo vetëm të të afërmve të viktimave por të të gjithëve,dhe i ligjëronin kësijoj jetës dhe vdekjes.Për këta banorë ajo ishte një humbje e të gjithë Shqipërisë,prandaj këto gra të moshuara nuk ngurronin që nëpërmjet një tradite të tillë solemne të vajtonin për këta të rinjë që i humbën kombit.Zëri i atyre grave ushëtonte kudo duke shprehur shpirtin e të gjithë tokës përreth.

U desh kohë që ta rimerrja veten pas një eksperience të tillë.Nuk mund të them që ishte nje kënaqesi për mua që pashë një ngjarje të hidhur,por e them me bindje të plotë se fitova shumë nga kjo përvojë dhe ishte interesante të ishe kaq pranë me një traditë të vendit tënd,për të cilën ke dëgjuar shumë por nuk ke patur asnjëherë mundësi që ta shohësh.Zëri i atyre grave,fjalët,gjeste dhe lëvizjet e tyre do të ngelin gjatë ne memorien time.Ato lanë një gjurmë të paimagjinueshme…



Kjo ese nuk ka lidhje me lojën,por e krijova në RL dhe thashë ta ndaja edhe me ju.Shpresoj që t'ju pëlqejë!

Le të bëjmë një cmenduri,
CmenduriaMB