Metallica ne Prishtine !!!!

Day 1,594, 07:03 Published in Albania Greece by Dren Krasniqi

Një nga bendet më me ndikim i të gjitha kohërave që ka shitur më shumë se 100 milionë kopje albumesh anekënd botës, “Metallica”, do ta nderojë Kosovën me një koncert të madh në Stadiumin e Prishtinës.
Grupi i njohur me megahitin “Nothing Else Matters” ne ueb-faqen e tyre, në listën e datave të koncerteve si destinacion e ka përfshirë edhe Prishtinën, ku do të ‘çmendin’ publikun më 9 maj. Një ditë më parë, “Metallica” do të qëndrojë në Beograd, ndërsa pas Prishtinës rokerët legjendarë do të fluturojnë për në Varshavë të Polonisë.

“Kosovë përgatitu për një koncert si kurrë më parë... Ne do të jemi aty për t’ju ‘metalizuar’... Po vijmë t’ju tregojmë se sa JU duam...”, ka shkruar frontmeni James Hetfield në profilin e tij në Twitter.


Gjatë luftërave në Ballkan ka pasur thashetheme se “Metallica” ka mbështetur financiarisht ushtrinë serbe, ndërkohë që Hetfield ka shkruar në Twitter se vendimi për koncert në Kosovë nuk ishte i rastësishëm, porse për të dëshmuar të vërtetën mbi kauzën që bart në vete muzika e tyre: “zemërim për të pavërtetën, humbjen që e përjetojmë të gjithë dhe ndëshkimin për kriminelët”.

Duke konfirmuar ardhjen e “Metallica” në vendin tonë, Reuters raporton se kryeministri Hashim Thaçi do të jetë njeriu që do t’i ftojë në skenë legjendarët e rokut, megjithatë asgjë nuk është konfirmuar nga Zyra për informim e kreut të ekzekutivit. Nga ana tjetër, Daily Mail flet për një pakënaqësi të kreut të Prishtinës, Isa Mustafa, i cili mendon se ky nder duhet t’i takojë atij, pasi që udhëheq me kryeqytetin, vendi ku do të mbahet koncerti.

Producenti i bendit, Rick Rubin, duke komentuar datat e koncerteve, në blogun e tij shkruan se përkundër se “Metallica” është marrë vesh me organizatorët dhe e ka caktuar datën për koncertin në kryeqytet, problemi qëndron te drejtuesit e Stadiumit të Qytetit të Prishtinës, të cilët kërkojnë nga menaxhmenti i koncertit, që stadiumi pas koncertit të kthehet, ashtu siç ishte marrë, në të njëjtën gjendje. Afrim Muçiqi nuk lejon shitjen e birrave në stadium, ndërsa dështuam në përpjekje për ta kontaktuar sepse ishte në një koncert në Zvicër. Sipas spekulimeve, në refuzimin e Muçiqit është duke ndikuar Isa Mustafa, i cili e kushtëzon koncertin me miratimin në Kuvend të Ligjit për Prishtinën.

Ende nuk është bërë publike se kush do të jenë paragrupet, por spekulohet se “Troja” mund të jetë një nga bendet pjesëmarrëse. Porsa kanë marrë informatën, në profilet e tyre në rrjetet sociale kanë reaguar Genta dhe Nora që nuk janë ftuar të ngjiten në skenë, ndërkohë që B.B. Poqi nuk mund të marrë pjesë, sepse është në një turne në Gjermani. Nga ana tjetër, burime tona në Tetovë thonë se “Elita 5” ka refuzuar pjesëmarrjen me arsyetimin se “po të kishte qenë ‘Bon Jovi’ apo ‘Whitesnake’ do të vinim, po kush është ‘Metallica’ që ne të jemi paragrup i tyre”.


RIA Novosti ka publikuar një komunikatë të Presidencës ruse, e cila ka reaguar ashpër duke e quajtur “implikim të Qeverisë amerikane” anulimin e koncertit të “Metallica” në Moskë dhe mbajtjen e tij në Prishtinë. Po ashtu, sipas Xinhua, presidenti i Kinës, Hu Jintao, ka nënshkruar një urdhër përmes të cilit ua ndalon katër anëtarëve të bendit hyrjen në Kinë deri në vitin 2018, për shkak të, siç thuhet, “nxitjen e popujve për vendimmarrje të njëanshme” duke aluduar te Tajvani. Akoma nuk ka një reagim zyrtar nga Spanja, por Elpais.es raporton se kryeministri Mariano Rajoy ka caktuar një seancë urgjente të hënën në Kuvend, ku do të kërkojë që Real Madridit t’i ndalohet udhëtimi në Tiranë.

Ende nuk kemi informata mbi çmimin e saktë të biletave që do të lëvizë nga 20-50 euro, por një është e sigurt, shitja e tyre do të fillojë ditën e hënë në çdo cep të Kosovës- kioskë, kafene e qebaptore..., në mënyrë që sa më shpejtë të shpërndahen biletat, pasi që jemi pak më shumë se një muaj larg ditës së koncertit.

Pas përfundimit të koncertit, Kirk Hammet, i cili ndjen një lidhshmëri të ngushtë me shqiptarët, pasi rrjedh nga një nënë filipinase dhe nga një baba irlandez, do t’ia dhurojë kitarën e tij Muzeut të Kosovës. Bateristi Lars Ulrich, i cili si i ri u largua nga Danimarka drejt Los Angelesit për ta ndjekur ëndrrën e tij për t’u bërë tenist, pjesën e tij të përfitimeve nga koncerti (prej 37 për qind) do ta ndajë për ndërtimin e një fushe tenisi në Ferizaj. Ndërkohë, basisti Robert Trujillo ka premtuar që nëse në stadiumin e Prishtinës mblidhen më shumë se 30.000 njerëz, do t’i shkurtojë flokët dhe do të bëhet tullac, ndërsa flokët e prera do t’i dhurojë për zgjatje artificiale.

Duke shpresuar që do të kaloni momente të paharrueshme dhe çaste madhështore duke u argëtuar me njërin nga grupet më të mira në histori, jua urojmë 1 Prillin


Voto dhe bej subscribe !!!