HAKERRIM

Day 1,843, 08:12 Published in Albania Poland by tori01


Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë,

nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë!

Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or’ e ças,

Për çakallin, nat’ e errët, është ras’ e deli ras’!



Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka,

të pabrek’ ju gjeti dreka, milionier’ ju gjeti darka!

Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe,

gjersa populli bujar t’ju përgjigjet: peqe, lepe!



Ai rron për zotrinë tuaj, pun’ e tija, djers’ e ballit,

ësht’ kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit!

Shyqyr zotit, s’ka më mirë, lumturi dhe bukuri,

dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz’ edhe turi!



Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet;

hani, pini e rrembeni, ësht’ bot e maskarenjve;

Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith’ aksione, monopole,

ekselenca dhe shkelqesa, tuti quanti come vuole!



Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion,

ju shkëlqen në kraharuar decorata “Grand Cordon”!

Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t’ju thërres’

gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkelqes’

dhe të quheni përhera luftëtar’ e patriot’,

në ka zot dhe do duroj’, posht ky zot, ky palo zot!



Grand Cordon i zotris’sate, që në gji të kan’ vendosur,

ësht’ pështyma e gjakosur e atdheut të vremosur;

dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr’,

ësht’ trikëmbshi që përdita varet kombi në litar!

Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh,

kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh!



E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde,

mbasi dora e armikut ty me shok’ të heq për hunde.

Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh,

të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal’ në vesh!



Koha dridhet e përdridhet, do vij’ dita që do zgjidhet

dhe nga trasta pem’ e kalbur doemos jasht’ do hidhet!

Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë

nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul’ e zezë në ballë!



Mirpo ju që s’keni patur as nevoj’ as gjë të keqe,

më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: “Peqe!”

Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët,

sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët!

As ju hahet, as ju pihet, vetem titilli ju kihet…

Teksa fshat’ i varfer digjet… kryekurva nis e krihet!



Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira,

ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar’ në errësira!

Ç’na pa syri, ç’na pa syri!... Hunda juaj ku nuk hyri:

te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri!



Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar,

dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar’

Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vëndi

që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dëndi!



Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe,

dylli bënet si të duash, kukuvajk’ dhe dallandyshe…

kukuvajka gjith, me lajka, neser silleni bujar,

nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar!



Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera

kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera…

Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve,

koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve!



Edhe ju të robëruar, rob në dor’ të metelikut,

fshini sofrat e kujtdoj’, puthni këmbën e armikut!

Që ta kesh armikun mik e pandehni mënçuri,

mjafton bërja pasanik, pasanik dhe “bej” i ri,

dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura,

kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura!



Vëndi qënka sofr’ e qorrit, vlen për goj’ e për lëfytë,

bëni sikur veni vetull’, shoku shokut krreni sytë…

Dhe për një kërkoni pesë, po më mir’ njëzet e pesë.

Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!



Po një dit’ që nis e vrëret do mbaroj’ me bubullimë,

ky i sotmi zër’ i errët, benet vetëtimë

dhe i bije rrufeja pasuris’ dhe, kësi lloj,

nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit’ për goj’!



A e dini që fitimi brënda katër vjet mizor’

nuk ësht’ yti, nuk ësht’ imi, është i kombit arbror,

ësht’ i syrit në lot mekuar, ësht’ i vëndit djegur, pjekur,

Ju do thoni si të doni… po e drejta dermon hekur!



ALI ASLLANI

(1884-1966)