Mos e haroni Shkupin

Day 1,998, 08:20 Published in Albania Russia by MuadhRustemi

Ku shtrihet etnikumi shqiptar Ilirida

Ilirida - Shqipëria Verilindore, Lugina e Vardarit ose Maqedonia Perëndimore, ka qenë e banuar qysh në periudhën më të lashtë parahistorike, të Neolitit, me popullsi bartëse të Kulturës Mediterane. Më vonë, nga kjo popullsi parahistorike u formuan Pellazgët dhe fiset Ilire, të cilët në Iliridë, përveç tjerash, ndërtuan edhe këto qytete historike: Oeneun (Tetova), Draudakun (Gostivari) dhe Uskanën (Kërçova) që banosheshin nga fisi Ilir i Penestëve. Linkestët dhe Enkelejtë banonin rreth qyteteve Strugë, Ohër (Lyhnidis) dhe Manastir (Heraklea). Kurse pjesa veriore e Maqedonisë, Shkupi (Scupi), Kumanova, etj., kanë qenë të banuar nga fiset ilire të Dardanëve dhe Paionëve.

Në Enciklopedinë serbe theksohet: "Maqedonia në periudhën antike ishte shtet i pavarur, i banuar me fise iliro-thrakase, nga maqedonasit iu dha emri MAQEDONI". Më poshtë thuhet: "Shtrihej rreth brigjeve të Detit Egje. Në histori është njohur me emrin Maqedonia, me kryeqytet Selanikun. Më vonë Filipi II, i ati i Lekës së Madh, i zgjeroi kufijtë në Veri. Kjo njihej me emrin Maqedonia II, me kryeqytet Stobi (Shtipi). Kufiri i Maqedonisë II shtrihej deri te lumi Astibo dhe rrjedha e poshtme e lumit Erigon". (Malla Enciklopedija, Prosveta, Beograd, 1978, f .461).

Pra, siç shihet, Maqedonia antike asnjëherë nuk është shtrirë në veri të lumit Erigon (Crna Reka), dhe se në perëndim asnjëherë nuk e ka pasur territor të saj Maqedoninë e sotme Perëndimore. Ata ishin të banuara me fiset tjera ilire, si: dardanët, paionët, lynkestët, penestët, enkelejtë etj. Këtë e dëshmojnë edhe gërmadhat e vendbanimeve të vjetra dhe objektet e shumta arkeologjike të zbuluara anekënd hapësirës së Maqedonisë së sotme.

Kurse, sa iu përket maqedonasve pellazgo-ilirë, një historian do të theksonte: ”Herët u paraqitën në histori dhe shumë herët u zhdukën”. Kjo tregon, se maqedonasit antikë nuk patën jetë të gjatë në histori. Në shek. III p.e.s nuk u dëgjuan më fare, ndërsa Leka i Madh vazhdoi të "veprojë" në arenën historike. Ai bëri bujë dhe la gjurmë të thella në histori. Edhe sot është i pranishëm në lëminë e historisë. Për të dihet se është i biri i Filipit II e i nënës Olimpi dhe se mësues e ka pasur Aristotelin (aristokrat Telin, filozof ilir). Leka i Madh ishte kushëri i Pirros së Epirit. Që në moshë 6 vjeçare mbet jetim dhe e mori në mbrojtje dhe e rriti mbreti i Taulantëve, Glauku, i cili më pas i ndihmoi që të bëhet mbret i Maqedonisë. Çka është me rëndësi, Leka i Madh, ishte mbret i Maqedonisë prej v. 336 deri në v. 323 p.e.r., pra, deri në vdekjen e tij. Përkatësinë etnike iliro-maqedonase, askush nuk mund t'ia mohojë, prandej edhe quhet Leka i Maqedonisë (Aleksandri i Maqedonisë).

Pra, më mirë do të ishte që historianët dhe politikanët sllavo-maqedonas të mos merren me kuazishkencë, sepse kjo sjell huti brenda vetë popullit sllavo-maqedonas. Përpjekjet e tyre që të jenë pasardhës të një populli të stërlashtë, me të cilin mburret historia antike dhe historia më e re, janë pretendime të kota, sepse nuk munden të jenë edhe sllavo-maqedonas edhe maqedonas antikë. Nuk munden të jenë në të njëjtën kohë edhe sllavë edhe ilirë, sepse maqedonasit e Lekës së Madh kanë jetuar në një hapësirë dhe në një kohë krejtësisht tjetër. Fisi i Maqedonëve të Lekës së Madh ka qenë fis pellazgo-ilir. Këtë e dëshmojnë vetë historianët dhe filozofët helenë (grekë) të asaj kohe, duke i quajtur Maqedonët, ashtu si edhe Ilirët, fise "barbare", pra fise të huaja, jo greke, që nuk kishin gjuhën dhe etninë e tyre.

Populli shqiptar i Iliridës nuk e njeh Maqedoninë
si shtet të vetin

Shteti që sot zyrtarisht quhet Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë (IRJM), për herë të parë si gjysmështeti, si Republikë i ish-Federatës Jugosllave, u konstitua në vitin 1945.

Republika e Maqedonisë u nda nga ish-Federata Jugosllave pas mbajtjes së Referendumit të 8 shtatorit 1991, duke shpallur po atë vit edhe pavarësinë shtetërore. Ende pa përmbushur kushtet e parashtruara nga Komisioni i Badinterit u bë njohja e Maqedonisë si shtet i pavarur, dhe më 1993 ajo u pranua anëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Me gjithë njohjen e saj si shtet i pavarur nga OKB-ja, Republika e Maqedonisë (apo zyrtarisht: IRJM - FYROM) ende ka shumë probleme të pazgjidhura me fqinjët e saj.

Kështu, Bullgaria nuk ia njeh kombësinë (etninë), duke pretenduar se në Maqedoni ka vetëm pjesë të kombit bullgar e jo ndonjë komb maqedonas. Greqia nuk ia njeh as etninë, as emrin shtetit sllavomaqedonas, duke pretenduar se ajo është e vetmja "trashëgimtare" e emrit antik "Maqedon dhe Maqedoni". Serbia, Maqedonisë nuk ia njeh pavarësinë e Kishës Ortodokse Maqedonase, duke tentuar që ta mbajë gjithmonë nën sqetullën e saj këtë kishë. Kosova nuk ia njeh kufijtë Maqedonisë, sepse Serbia mbolli "mollën e sherrit" midis dy vendeve kur ia dhuroi Maqedonisë një pjesë të madhe të tokës së Kosovës. Republika e Shqipërisë e njeh Maqedoninë si shtet të pavarur e sovran dhe nuk ka probleme ndërshtetërore me të, por populli shqiptar i Iliridës nuk e njeh Maqedoninë si shtet të vetin, sepse nuk është i barabartë me popllin sllavo-maqedonas, sepse nuk është popull shtetformues në këtë republikë.

Diskriminimi i shqiptarëve të Iliridës nga pushtetmbajtësit
sllavomaqedonas

Pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE, kjo parti dhe qeveria e saj përpiloi një program pune ku pjesën më të madhe të këtij programi e përbën problemi ekonomik dhe zgjidhja e këtij problemi. Kurse problemi politik lihet nën hije të ekonomisë. Çështjet e pazgjidhura etnike, implementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit etj., lihen në plan të dytë, edhepse ato janë problemet numër një me të cilat përballet shteti i Maqedonisë. Në këtë mënyrë qeveria e VMRO-s po ikë nga problemet e mprehta reale politike dhe shkon e fshihet pas problemeve ekonomike, të cilat poashtu janë të mëdha dhe duan zgjidhje urgjente, por jo në kurriz të problemeve etnike dhe të pabarazisë ligjore ndërmjet etnive.

Duhet theksuar se, në mars-prill të vitit 2001, Kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë kërkoi ndarjen e saj, por shqiptarët nuk e pranuan këtë tezë, sepse Kryeministri i atëhershëm sllavomaqedonas u jepte shqiptarëve vetëm dy-tre komuna të këtij shteti, kurse pjesën e ”luanit” të trojeve shqiptare të Iliridës propozonte ta mbante për vete! Kurse në maj të po atij viti (2001), kur UÇK kishte shti në dorë luginën e epërme të Vardarit dhe ishte afruar te portat e Shkupit, Kryeministri u tërhoq nga ideja dhe ngarkoi Akademinë e Shkencave të Maqedonisë për ta elaboruar më tej tezën e ndarjes së saj. Nuk vonoi shumë dhe gazeta Veçer e datës 25 maj 2001 botonte hartën e ndarjes së Maqedonisë. Ky skenar jorealist e antishqiptar nuk u realizua atëherë, por skenari vazhdon të qëndrojë në sirtarët e kësaj partie sllavomaqedonase.

Sllavomaqedonasit VMRO-istë duan ta ndajnë Maqedoninë, por faji përballë Europës dhe botës ”duhet” t’u mbetet Shqiptarëve, që ne të etiketohemi e anatemohemi nga faktorët politik relevantë ndërkombëtarë si ektremistë, nacionalistë, separatistë, paqeprishës,… deri edhe terroristë! Por, faktikisht dhe historikisht, Maqedoninë (ta quajmë kushtimisht) Etnike e kanë ndarë vetë ideologët sllavomaqedonas të VMRO-së së shekullit të kaluar: Jane Sandanski (nga Maqedonia e Pirinit), Goce Dellçevi (nga Maqedonia e Egjeut), Nikolla Karevi, etj., të cilët nuk luftuan në koalicion me shqiptarët e Hasan Prishtinës për të krijuar Shqipërinë Etnike dhe Maqedoninë Etnike, por luftuan për të pushtuar sa më shumë territore të Shqipërisë Etnike në prag të shekullit të kaluar. Prandaj tani Maqedonia sllavomaqedonase e Pirinit gjendet nën Bullgari, kurse Maqedonia sllavomaqedonase e Egjeut gjendet nën Greqi. Dhe jo vetëm kaq, por politika antishqiptare e VMRO-së së sotme moderne dhe e të gjitha partive tjera politike sllavomaqedonase ende vazhdon me avazin e vjetër.
Ata me ngulm po përpiqen të mbajnë të pushtuara tokat shqiptare të Shqipërisë Etnike (Iliridën) dhe po vazhdojnë të injorojnë të vetmit aleatë të tyre natyrorë në Ballkan – Shqiptarët, me të cilët i bashkon idea për krijimin e Shqipërisë Etnike dhe Maqedonisë Etnike. Dhe Maqedonia Etnike e tyre nuk shtrihet në tokat shqiptare të Iliridës, por gjendet në Bullgarinë e Pirinit dhe në Greqinë e Egjeut, si dhe në Maqedoninë e sotme juglindore (rrjedha e poshtme e Vardarit).

Sllavomaqedonasit dhe Shqiptarët kanë të përbashkët të njëjtin pushtues shovenist – Greqinë, por këtë fakt pushtetarët sllavomaqedonas të Shkupit nuk e marrin parasyshë dhe vazhdojnë të armiqësohen më tej me Shqiptarët, duke mos qenë të vetëdijshëm se në këtë mënyrë ata po godasin, më shumë se Shqiptarët, vetveten dhe çështjen e tyre kombëtare. Me apo pa "aleatët" sllavomaqedonas, kombi shqiptar do të vazhdojë rezistencën dhe luftën e tij për bërjen e Shqipërisë Etnike.

Mosimplementimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit dhe vazhdimësia e diskriminimit të shqiptarëve të Iliridës nga pushtetmbajtësit sllavomaqedonas të Shkupit, vetëm se do ta shpejtojë ndarjen dhe shpërbërjen e Republikës së sotme të Maqedonisë (IRJM-FYROM). Dhe faji do të rëndojë mbi ta, sepse bota demokratike nuk është as e verbër e as naive që të mos e identifikojë fajtorin e kësaj ndarjeje.

Republika e Maqedonisë është shtet unitarist multietnik

Republika e Maqedonisë është shtet unitarist multietnik, ku pushteti ushtrohet nga lart – poshtë, dhe ku sundon etnia sllavomaqedonase mbi etninë shqiptare dhe mbi pakicat tjera kombëtare. Ky lloj pushteti etnocentrist është burim i konflikteve të vazhdueshme ndëretnike. Multietniciteti i shtetit është njëherit dhe pasuri e atij vendi, por vetëm kur bëhet decentralizimi i pushtetit qendror, kur pushteti dhe të drejtat e qytetarëve ushtrohen nga poshtë-lartë. Kjo formë e qeverisjes bën të mundur që etnitë dhe pakicat e ndryshme që nuk kanë etni, gjuhë, fe e as tradita të përbashkëta, megjithatë mund të bashkëjetojnë në paqë dhe harmoni ndëretnike në një shtet të tillë ligjor.

Gjithë kohën ka pasur premtime të pushtetit maqedonas se do t’i plotësojë kërkesat dhe të drejtat e shqiptarëve, por nuk i ka plotësuar kurrë. Poashtu tërë kohën, sidomos gjatë fushatave elektorale, ka pasur premtime të partive shqiptare për zgjedhësit shqiptarë se do t’i avansojnë të drejtat e tyre kombëtare, se do t’i përmbushin kërkesat e tyre politike, kombëtare, ekonomike, të arsimit etj., por kur kanë hyrë në qeverisje nuk i kanë mbajtur premtimet. E gjithë politika e sllavomaqedonasve dhe e partive shqiptare është ndërtuar dhe është zhvilluar mbi premtime gojore dhe shumë pak gjëra janë të shkruara e të inkorporuara në ligj. Edhe ato të drejta të sanksionuara në kushtetutë dhe ligjet e shtetit nuk janë realizuar fare ose tepër pak në praktikë.

Çdo shtet jodemokratik njëherit është edhe ilegjitim për etninë që shtypet e shfrytëzohet politikisht dhe ekonomikisht. Pjesëmarrja e partive politike të etnive tjera në Parlament dhe në Qeveri, pa përmbushur standardet demokratike, pa rrespektuar dhe zbatuar marrëveshjet paraprake dhe ligjet në fuqi, nuk e bën një shtet legjitim. Përfaqësuesit e shqiptarëve në pushtetin maqedonas, deputetë apo ministra, deri më sot kanë shërbyer vetëm si dekor dhe për të legalizuar pushtetin e sllavomaqedonasve karshi botës. Pushteti legal kur është jodemokratik, ai automatikisht është pushtet ilegjitim, i paligjshëm dhe i papërfillshëm nga etnia apo pakicat që janë objekt i padrejtësive të pushtetit legal.

Shqiptarët në Maqedoni, që nga viti 1945 e deri më sot, nuk kanë qenë të barabartë me sllavomaqedonasit, prandaj kurrë nuk e kanë pranuar atë si shtet të vetin, sepse janë nëpërkëmbur e diskriminuar vazhdimisht nga të gjitha qeveritë e Shkupit. Për këtë shkak, më 24 mars 1990 shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Maqedoni e shpallën Iliridën - Republikë Autonome, por nuk e vazhduan punën e mëtejshme për jetësimin e saj në vepër! Kurse në pranverë të vitit 2001 shqiptarët e Iliridës iu bashkangjitën thirrjes së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK) për luftë nacionalçlirimtare dhe ndarje nga Maqedonia.

Ilirida është pjesë integrale e Shqipërisë Etnike

Asnjë marrëveshje nuk mund të ketë karakter të përjetshëm. Ajo, çka është edhe më keq, Marrëveshja e Ohrit as nuk është implementuar në tërësi as edhe pas kaq vitesh të përpilimit të saj. Kjo Marrëveshje është shumë e vështirë që të implementohet në tërësi, sepse kundër saj ka qenë gjysma e popullit sllavomaqedonas. Këtë e dëshmoi edhe Referendumi Popullor i 7 nëntorit 2004, i organizuar nga partia aktuale në pushtet - VMRO-DPMNE, ku rreth 445.000 qytetarë sllavomaqedonas votuan kundër Marrëveshjes së Ohrit!

Marrëveshja e Ohrit është Marrëveshje për ekzistencën e Maqedonisë, ajo nuk është marrëveshje vetëm e shqiptarëve, por edhe e sllavomaqedonasve. Prandaj pushtetarët VMRO-istë të Shkupit janë të obliguar që ta implementojnë atë deri në shkronjën e paragrafin e fundit tä saj, nëse nuk duan shpërbërjen apo ndarjen e Republikës aktuale të Maqedonisë.

Marrëveshja e Ohrit ka luajtur rolin historik të ndërprerjes së luftës dhe tani është obligim i të gjitha forcave politike që të angazhohen për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe ende të pazgjidhura politike e kombëtare në Maqedoni. Një gjë e tillë mund të realizohet vetëm përmes një dialogu konstruktiv, ku hiqen “temat tabu” dhe me ndihmën e forcave demokratike ndërkombëtare të gjenden format dhe mënyrat e zgjidhjes së problemeve pa gjakderdhje të reja. Republika Shqiptare e Iliridës ende është opcion politik dhe kombëtar i popullit shqiptar të Iliridës.

Si duket pushteti maqedonas nuk ka mësuar asgjë nga konflikti ushtarak shqiptaro-maqedonas i vitit 2001! E meta e historisë është se ajo, në një formë apo në një tjetër, përsëritet. Historia përsëritet kur njerëzit, partitë politike apo pushtetet shtetërore nuk mësojnë apo nuk duan të mësojnë asgjë nga ngjarjet historike. Dhe atëherë historia përsëritet, por përsëritet me një egërsi, intenzitet dhe përmasa shumë më të mëdha se sa herën e kaluar.

Prandaj, si dje edhe sot, Maqedonia po përballet me konflikte të hapura e të fshehura ndëretnike. Ky shtet nuk është demokratik dhe si i tillë nuk ka të ardhme. Ardhmëria e Maqedonisë qëndron vetëm në decentralizimin demokratik të pushtetit qendror, i cili shprehet përmes konceptit të demokracisë konsensuale, autonomisë rajonale, federatës apo konfederatës.

Rruga tjetër është vetëvendosja demokratike e popullit shqiptar të Iliridës, përmes Referendumit Popullor dhe ndarja e tij nga Maqedonia, duke formuar shtetin e ri - Iliridën, me të drejtë bashkimi me Shqipërinë ose Kosovën.

Përndryshe, Ilirida është Shqipëri Verilindore, e banuar në masën 90% nga shqiptarët autoktonë pellazgo-ilirë që nga antika dhe deri në ditët tona. Kurse në nivel republikan Shqiptarët përbëjnë rreth 45% të numrit të përgjithshëm të popullsisë së Maqedonisë.

Ilirida është pjesë integrale e Shqipërisë Etnike.