Arbër Zeka fiton në “Big Brother Albania 5”

Day 1,650, 05:04 Published in Albania Albania by Da Big One

Arber Zeka është fitues i edicionit të pestë të reality show “Big Brother”, që organizohet nga televizioni “Top Çannel” në Shqipëri. Ai ka marrë më së shumti vota nga publiku, që ka votuar përmes mesazheve telefonike nga Kosova e Shqipëria, raporton sot Koha Ditore. Zeka nuk ka mundur të përmbahej nga lotët kur, të shtunën në orët e vona, ka dëgjuar emrin e tij si fitues, tek është thirrur nga nikoqirja e këtij show televiziv, Arbana Osmani. Në dyshe ai ka shkuar me konkurrentin nga Shqipëria, Armando Osmani - Liam, ndërsa bashkë edhe me tre konkurrentë të tjerë, Genta, Françeska dhe Ermali kishin përthekuar pesëshen finaliste të këtij edicioni.

“Ka qenë një udhëtim i gjatë. Edhe Liami është fitues”, ka thënë menjëherë Arbëri pasi ka kuptuar se është fitues. “Fitoren ua dedikoj prindërve të mi”, ka shtuar më pas ai. Çmimi për vendin e parë ka qenë 10 milionë lekë, ose rreth 73 mijë euro. Zeka ka thënë se qëllimi i hyrjes së tij në “Big Brother” ishte që me paratë që do t’i merrte nga ky çmim do t’ua dhuronte prindërve një shtëpi. Zeka ka hyrë në edicionin e pestë të “Big Brother Albania” dy javë pasi që ka nisur ai. Kjo i bie që ai të marrë pak më shumë se 61 mijë euro. Pjesa tjetër e mjeteve do t’u ndahet 4 finalistëve të tjerë.

Të gjithë sondazhet e kohëve të fundit në faqen zyrtare të “BBA” dhe në rrjetet sociale e kanë parë prishtinasin fitues të këtij edicioni.

Arbri është lindur e rritur në Prishtinë, ku ka banuar në 8 lagje të ndryshme, duke qenë se familja e tij vazhdimisht ndërronte shtëpi me qira, duke mos pasur një të tyren. Në biografinë e tij në faqen zyrtare të “Big Brother Albania” thuhet se Zeka ka bërë një jetë aktive, mbushur me momente të lumtura e të vështira.

“Si shumë fëmijë kosovarë edhe ai ka përjetuar luftën e Kosovës kur ishte vetëm 10 vjeç. Në atë periudhë ata janë transferuar familjarisht në një familje shqiptare në Tiranë, ku jetuan për më shumë se një vit, kohë për të cilën Arbri ka shumë nostalgji”, thuhet aty. Ka diplomuar në degën e ekonomikut në Universitetin e Biznesit dhe Teknologjisë në Prishtinë. Për një periudhë të shkurtër ka punuar edhe në administratën shtetërore në Entin e Statistikave të Kosovës.