A je SHQIPTAR?

Day 2,446, 11:45 Published in Albania Ukraine by Uncrowned King


www.njekomb.com

Edhe pse e dimë që populli shqiptar ka migruar ndër shekuj nëpër vende të ndryshme të botës, asnjëherë nuk ka qenë e mundur të dihet se cili është numri i mërgimtarëve.

Dy të rinj, të interesuar t’i bashkojnë shqiptarët kudo që ndodhen, tashmë kanë lansuar një faqe interneti që quhet “Një Komb”, ku çdokush që është shqiptarë mund të regjistrohet duke i lënë të dhënat e tyre personale.

Në këtë mënyrë, pak a shumë mund të identifikohet numri i konsiderueshëm i shqiptarëve në mërgatë.

Armend Berisha e Besfort Axhanela - Toti, nga data 24 korrik e këtij viti kanë hapur këtë faqe përmes së cilës vetëm brenda një jave kanë identifikuar 100 mijë shqiptar nga e gjithë bota.

“Duke marrë parasysh dyndjet e popullatës shqiptare gjatë luftërave në Ballkan, shqiptaret janë ndër popujt që kanë migruar në të gjitha vendet e botës, posaçërisht në Evropë, Turqi dhe Amerikë. Mungesa e informacionit të saktë dhe deklarimet e shumta rreth numrit total të shqiptarëve nëpër botë, na kanë shtyrë në idenë idea e krijimit të një platforme për identifikim virtual të shqiptarëve anembanë botës”, thotë Berisha.

“Faqja është lansuar të enjten më 24 korrik dhe brenda këtyre gjashtë ditëve janë identifikuar mbi 100,000 shqiptarë nga e gjithë bota. Numri më i madh i mërgatës sonë vjen nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Zvicra, Italia etj.”, thotë ai.

Ideatorët e “Një komb” u bëjnë thirrje të gjithë shqiptarëve që në forma të ndryshme të mbështesin këtë projekt, duke e shpërndarë edhe në rrjete të ndryshme sociale.

Projekti “Një Komb” do të jetë aktiv tani e tutje për të gjithë ata që duan ta bashkëpunojnë drejtë ngritjes së vetëdijes për të gjithë ata shqiptarë që ndodhen anembanë botës.

Ndryshe, për ata persona të cilësdo moshë që nuk kanë qasje në internet, regjistrimin e tyre mund ta bëjnë familjarët e tyre, por inkurajohen të gjithë që të dhënat dhe vendndodhjen ta japin të saktë.