Identifikohet flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali

Day 1,557, 14:29 Published in Albania Albania by Edini

Më datë 2 dhjetor 2011 u zbulua në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali! Është një ngjarje që nuk mund të komentohet! Vetëm heshtja shpreh nderimin më madhështor për gjithçka… Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, në hotelin “Brufani” me 26 janar të vitit 1919, (bazuar në Fjalorin enciklopedik shqiptar). Në darkën e 10 shkurtit 1919 luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës arkivolin me trupin e pa jetë të njeriut të madh. Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. U vendos që Ismail Qemali të varrosej në Kaninë, në varrezën familjare të familjes Vlora, me që në qytet nuk kishte mundësi urbanistike. Komanda italiane, që i a kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli, patriotizmi i të cilit mbushte grykën e pushkës. Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Në se flamuri është një simbol kombëtar, atëhere i gjithë kombi u nder mbi njeriun që e ngriti kombin në përjetësi. Ishte një prekje, një përkëdhelje, një shtrëngim në gjoks, jo, më tepër, në shpirt. Këtë flamur i a kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars të vitit 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë. Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora.
Ceremonia e varrimit u bë më 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora dhjetë. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.
Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga “Djelmoshat e Vlorës”, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria “Djelmoshat e Vlorës” dhe nga gazeta “Kuvendi”. Mbas këtyre vinte “Shoqëria djaloshare”. Pastaj ecte banda ushtarake qe luante marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh. Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritet ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë. Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, të cilin flamur e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në “Sheshin e Flamurit” me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar. Në Arkivin e Shtetit ruhen disa dokumente që vërtetojnë ngjarjen. Po i paraqesim ato ashtu në mënyrë origjinale, pa i bërë asnjë korrektim. Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.

Dokumenti

“MBRETNIJA SHQIPTQRE, PREFEKTURA MBRETNORE
VLONЁ
Nr. 172
Vlonë me 21. Kallnuer. 1933
P.T.
Ministris Aresimit
Tirane
Kétu ngjitun kemi nderin me Ju paraqite process-verbalin e mbajtun me rastin e marrjes né dorézim té Flamurit qé ashte ngritun pér té parén here né Vlone, prej Patriotit Ismail Qemalit.
Gjith ashtu né pako te veҫnté dhe po me kété shkresé dérgohet edhe Flamuri né fjalé.
Shtojme se me gjithqe Z. Etéhem Vlora pretendon se ky Flamur ashte ngritur pér té parén here né ndértesén Qeveritare me doren Atit tij, por nga sa kemi hetue ky Flamur ashte ngritur me té vértet mem 28 Nanduer 1912, por jo né ndértesén Qeveritare, por né Zyren e doganave né Vlone.
Lutemi me na njoftue marrjen né dorézim.
Prefekti
A. Nepravishta”
Shkruar me dorë:
“T’i dërgohet ky
flamur Bibliotekës”
Nën këtë shënim, është një tjetër, që konfirmon marrjen e flamurit në dorëzim:
“asht këtu në bibliotekën t’onë”
(firma)
28/10/33
Vijojnë disa vula dhe firma dhe në fun😛
“Marrë në dorëim me 29-X-933”.
Po paraqesim edhe proces-verbalin shoqërues:
“PROCES-VERBAL
Sot më 28 Nanduer 1932, ditén e Héné, me rastin e transferimit té eshtravet té shénjtorit té Kombit té ndjerit Ismail Qemalit nga Kanina né Pemendoren kujtimore té ngrehun prej N.M. Tij Mbretit dhe né pranie té Pérfaqesuesit té N.M.Tij Mbretit Shkelqésis sé tij Gjeneral Leon De Gjilardi dhe té shkelqesave té tyne Z.Z. Hil Mosi, Ministér i Arésimit, Milto Tutulani, Ministér i Drejtésis dhe té Prefektit té Vlonés Z. Abedin Nepravishta, Zoti Ethem Bej Vlora, i biri i té ndjerit Ismail Qemal pér kujtim Kombétar i dorézoj Prefektit té Vlonés Flamurin Kombétar té cilin mé 28 Nanduer 1912 ati i tij Eroj i Kombit i ndjeri Ismail Qemal e ngriti né qytetin e Vlonés tue prokllamuar indinpendencén e Shqipnisé pas shumé shekujsh rrobnije.
Kété Flamur té shenjté Prefekti i Vlonés ja dorézoj Ministrit té Arésimit Shk. tij Z. Hil Mosi pér t’a dépozituar né Muzeun Kombétar né Tirané.
Pér sa ma nalté u redaktua ky Proces-Verbal i mbajtun né katér kopje dhe i nénéshkruem prej té gjithéve qe pérménden ma sipér.

Ministri i Arésimit Ministri i Drejtésis Pérfaqesuesi i N.M.Tij
Hil Mosi Milto Tutulani Mbretit
Gjeneral Leon De. Gilardidrejt

I biri i té djerit Prefekti i Vlonés
Ismail Qemal A. Nepravishta
Etem Vlora”


Në vitin 1946 materialet e Muzeut Kombëtar i kaluan Institutit të Shkencave. Në vitin 1957, kur u krijua Universiteti i Tiranës, mori jetë edhe Instituti i histori-gjuhësisë, i cili pati në vartësi të vet edhe Muzeun arkeologjik-etnografik, si edhe fondin etnografik. Në këtë fond kaluan edhe flamujt, që ndodheshin dikur në Bibliotekën dhe Muzeun Kombëtar. Mirëpo nuk pati asnjë dokument për historinë e tyre. Kështu, ata mbetën enigmë. Edhe i ndjeri Rrok Zojsi, themeluesi dhe shefi i etnografisë dhe i fondit etnografik, e kishte me të dëgjuar se dikush i kishte dorëzuar flamujt pa dhënë ndonjë sqarim për ta, duke thënë: merrini dhe ruajini edhe këta! Punonjësja më e vjetër e fondi etnografik Znj. Pandora Plaku, kujton edhe në ditët e sotme porosinë e Rrok Zojsit për kujdesin ndaj këtyre flamujve dhe punën që ka bërë ajo me kolegët e saj për t’i mbrojtur këta flamuj nga infeksionet e insekteve dhe nga dëmtime të tjera.
Ishin tetëmbëdhjetë. Puna për identifikimin e tyre filloi dhjetë vjet më parë. Me 2 dhjetor 2011 i erdhi rradha këtij. Se si ndodhi mund ta tregojmë ndonjë herë tjetër.
Flamuri është i plotë, por ka dëmtime të shumta. Ngjyra e kuqe është zbehur nga veprimi i diellit. Duket të jetë pis. Duhet restauruar. Do të jetë një punë jo e lehtë në gjendjen që është ai!
Pavarësisht nga të dhënat e grumbulluara deri më sot, rëndësia e këtij flamuri dikton domosdoshmërinë e studimeve gjithnjë edhe më të gjera për të ndriçuar maksimalisht këtë simbol kombëtar.
Edhe disa ditë dhe ky flamur do të ekspozohet përkohësisht në mjediset e Qendrës së Studimeve Albanologjike për të kujtuar përvjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit.