Lufta pa gjak: Shqiptaret kunder serbëve

Day 1,745, 14:42 Published in Albania USA by Ethnic Albania I Loading


Ushtarë të një lufte të çuditshme kodesh, shumë herë më të avancuar se stërgjyshërit e tyre prej të cilëve kanë trashëguar veç inatet ballkanike dhe dëshirën për të goditur tjetrin. Shqiptarët dhe serbët janë përfshirë në luftën e tyre të fundit. Lufta e internetit dhe betejat e saj pa gjak, por me urrejtje, të cilat në pjesën më të madhe kalojnë shpesh herë në heshtje .

Ata janë aty. Nën emra të rreme, pas kodesh që i kuptojnë vetëm ata. Me grada dhe uniforma që ia veshin vetes sipas qejfit. Ushtarë të një lufte të çuditshme kodesh, shumë herë më të avancuar se stërgjyshërit e tyre prej të cilëve kanë trashëguar veç inatet ballkanike dhe dëshirën për të goditur tjetrin. Shqiptarët dhe serbët janë përfshirë në luftën e tyre të fundit. Lufta e internetit dhe betejat e saj pa gjak, por me urrejtje, të cilat në pjesën më të madhe kalojnë shpesh herë në heshtje. Hackersat (Piratët) nuk është e lehtë t’i gjesh qoftë edhe në internet ku kalojnë pjesën më të madhe të kohës, por është e thjeshtë të kapësh gjurmët e tyre. Dhjetëra artikuj paralajmërojnë për “betejat” e sapombyllura, “paqen” e vendosur dhe kushtet e “luftës”. Përndryshe nga të gjitha ushtritë e tjera, piratët nuk rrezikojnë asgjë, ata kurrë nuk e shohin armikun në sy, llogoret e tyre me shumë mundësi janë kolltukë të rehatshëm dhe arma e vetme është një kompjuter. Ndërsa të mundurit në të gjitha rastet janë kompanitë apo grupet e ndryshme dhe faqet e tyre të internetit. Edhe pse e habitshme lufta e tyre vazhdon prej vitesh. Në internet gjenden dy grupe shqiptare: “Albanian Security Clan” dhe KHG (Kosova Hackers Group), faqet e uebit dhe forumet janë të mbushura përplot me “trimëritë” e tyre që sidoqoftë duhet të jenë sekrete.

Beteja e fundit u zhvillua pak kohë më parë. Në Shqipëri e pësuan Posta Shqiptare, faqja e Partisë Demokracia Sociale, ajo e klubit të futbollit Partizani dhe dy forume ekonomike. Kështu thotë: “zdnet.com” duke i shoqëruar me foto të marra nga faqet pasi këto ishin sulmuar. Piratët serbë e justifikonin betejën me sloganin “Kosova është serbi” e cila goditi sipas mirëmbajtësve të faqeve 12 faqe shqiptare, një hakmarrje ndaj sulmeve të KHG, të cilët sipas tyre kishin qenë të parët që kishin sulmuar faqe serbe.

Në faqen e KHG mëson se këta janë krijuar në vitin 1998, me qëllim: “Për të mbrojtur faqet shqiptare nga sulmet e piratëve serbë, në veçanti nga sulmet e shpeshta që bënte në atëkohë grupi serb i njohur me emrin “Crna Ruka’”. KHG lajmëron se ka sulmuar më parë faqen e internetit të një kompanie celulare. Në faqen topix.com/forum/ëorld/serbia/ gjen një listë faqesh që thuhet se janë goditur nga piratët shqiptarë KHG dhe ASC, të cilët pretendojnë se më parë kanë sulmuar edhe disa faqe interneti në Greqi, ku në vend të përmbajtjes u gjendën parulla pro shqiptare, flamuri shqiptarë dhe himnin. Në forumin e KHG shkruhet se, kur kanë sulmuar “MOBTEL” e kanë mbajtur këtë për tre ditë të prishur.

Anëtarët e këtyre grupeve nuk para identifikohen, vendqëndrimet e tyre janë të ndryshme nga sa deklarohen dhe suksesi i tyre matet me numër faqesh të thyera. Sigurisht gjithçka që bëjnë është ilegale. Dancho Danchev, konsulent i pavarur për sigurinë në internet shkruan se beteja e fundit është ndalur, “palët thotë ai kanë bërë armëpushim dhe janë në kërkim të atyre që nisën luftën”.

Në internet ka njerëz që besojnë se lufta kibernetike është vetëm në fillimet e saj dhe e ardhmja do jetë po aq e përgjakshme. “Këta njerëz nesër mund të ndërhyjnë në sistemin e fluturimit të aeroplanëve dhe të shkaktojnë po aq viktima sa një bombardim”, shkruhet në zdnet.com një faqe që njofton sulmet e piratëve dhe ngulmon në rritjen e sigurisë në ueb. “Çfarë njerëzit janë duke bërë tani në internet është sulmi kundër faqeve dhe vjedhja e kartave të kreditit apo informacionit, por kjo është vetëm maja e ajsbergut dhe e asaj që do të ndodhë”, shkruan Danchev. Ai dhe të tjerë hyjnë në pjesën e atyre që besojnë se lufta e internetit duhet marrë seriozisht, ajo u ngjan aeroplanëve që në fillim u përdorën vetëm për spiunim dhe më pas u kthyen në armë vdekjeprurëse. Por sa mund të shkatërrojë një adoleshent apo një 20-vjeçarë. Duket se shumë. Gazeta e Kosovës, “Lajm” në një artikull për KHG shkruan se në pak kohë ata kishin sulmuar dhe prishur faqe si ato të telekomit serb apo të disa forumeve. Ndërkohë vetëm në pak kohë serbët u hakmorën duke goditur postën shqiptare. Sistemi i sigurisë dhe i mbrojtjes së internetit duket se nuk do të evoluojë asnjëherë po aq shpejt sa piratët të gatshëm për të qëndruar me orë të tëra në ueb dhe shkatërruar faqe të tëra informacioni.

Grupet shqiptare dhe serbe, janë ende të vogla për të qenë më problematikët, ndërsa Kosova që është edhe molla e sherrit e tyre në internet, ka vite që përdoret si e tillë dhe jo vetëm prej tyre. Në kohën e luftës në Kosovë, CNN njoftonte një sulm hakerash kinezë kundër faqeve amerikane. Sulmi filloi pas bombardimit të ambasadës kineze në Beograd, gjatë fushatës së NATO-s dhe sipas CNN mjaft faqe amerikane e pësuan prej kësaj. Në internet luftërat janë të ndryshme nga ato të tokës. Por edhe këtu “ushtritë” janë të ndara thuajse njëlloj. Palestinezët që luftojnë hebrenjtë, turqit sulmojnë grekët, shqiptarët godasin serbët apo e anasjellta dhe gjithçka përfundon me një faqe të prishur interneti, me sharje, thirrje nacionaliste dhe përqeshje, pra pa gjak. Deri tani lufta e internetit veç kokëçarjeve për administratorët e faqeve është “luftë paqësore”.