ILLYRIANS

Day 1,675, 03:11 Published in Albania Albania by AL KiLLER




Le të flasim pak për pozitën dhe rolin e ilirëve në qytetërimin antik. Janë quajtur barbarë që banonin prapatokën apo periferinë e “qytetërimit” të vërtetë antik. Po çfarë ishte ky qytetërim antik? Nëse qytetërim do të thotë, qytete, tregti, organizim shtetëror, atëherë ilirët nuk ngeleshin mbrapa në asgjë.

Qytete. - Dhe qytete kishin! Të ndërtuara në pozita të sigurta, të fortifikuara; Pra, të zotët në artin e të ndërtuarit; dhe nëse vetë romakët mos t`i kishin djegur një pjesë të mirë të qyteteve (këtë e bënin zakonisht kur qytetet që pushtonin ia kalonin në bukuri Romës, si rasti i Kartagjenës) do zbulonim ashtu siç kemi zbuluar në Apolloni dhe Dyrrah, punime mermeri!

Punues druri e metali. - Tek druri arritën nivelin më të lartë, ndërtuan anijet më të shpejta në Adriatik; Dhe anijet nuk transportonin vetëm luftë, siç u pëlqente ilirëve, por dhe verë e grurë...

Minatorë të zotët, punues argjendi dhe ari. - Dhe këta nuk paskan pasur në përdorim monedhat?! Por çdo gjë me vlerë mund të shërbente si mjet shkëmbimi në këto raste, dhe monedha nuk ishte domosdoshmëria e vetme.

Tregtarë, prodhues vere, birre. - Artikujt më të shitur dhe ata më të përdorurit nga vetë ilirët. Dhe të prodhosh duhet teknikë, duhet lënda e parë, pra dalin dhe kultivues... Por duhen amfora për transportim, e megjithëse në fillim këtë artikull e importonin, më vonë ilirët e prodhonin vetë atë.

Bujq të zotët. - Ushqyen ushtarë pa pushim për shekuj me radhë; dhe nëse marrim në konsideratë terrenin e vështirë të Ballkanit, atëherë kanë qenë vërtetë të zotët.

Ushtarë! Më saktë, luftëtarë! - Karakteristika që do ti shoqërojë gjithmonë. Dhe këtu përkulën dhe vetë Romën e lavdishme me legjionet e saj të disiplinuara, por të kalbur në sistemin e saj politik. Mbrojtës të flaktë të lirisë së tyre, sistemi romak nuk i joshi kurrë (ai helen nuk u konsiderua kurrë rrezik për ekzistencën ilire, ata të vërtetët) deri në momentin kur iu imponua me dhunë.

Ilirët ripërtërinë shtyllën ku mbështetej sistemi romak, ushtrinë. Një ushtri skllevërish e bujqish, që u kthye me legjionet ilire në një ushtri të vërtetë që i siguroi Romës edhe disa shekuj jetë.

Organizimin shtetëror! - Mbreti, princi, kryeluftëtari. Ja ilirët! Të cilët nuk u joshën nga senati apo bulé-ja. Një ilir e jepte mendimin e votën e tij me shpatë.