Ali Pashe Tepelena.#2

Day 2,372, 07:51 Published in Albania Albania by xiilk

(Shkëputur nga libri i Sabri Godos "Ali Pashë Tepelena", faqja 122-124)


"Lufta për Butrintin"

Më 10 shtator 1798 Turqia i shpalli luftë Francës. Më 26 shtator Aliu zbriti në fushën e Mursisë me tre mijë ushtarë. Kishte bërë paqe me pashanë e Delvinës, duke i hapur vetes rrugën e Butrintit. Në Butrint francezët ishin forcuar buzë lumit Pavël, në malin e Miletit dhe në brigjet e Alikos. Në mëngjesin e 28 shtatorit Aliu bëri një sulm të përgjithshëm, pushtoi Kullën e Jahos dhe disa pika të tjera, po vija franceze prapë u mbajt. Shaboi dërgoi nga Korfuzi treqind këmbësorë të tjerë dhe një regjiment artilerie. Në mbrëmje arriti aty edhe vetë me disa përforcime xhandarësh. Zbarkoi e armatosi edhe detarët e anijeve. Ishin grumbulluar në Butrint njëmijë e pesqind ushtarë dhe njëqind topa, një e katërta e forcave të Shaboit.

Dukej se ai i jepte një rëndësi vendimtare ndeshjes me Aliun për Butrintin. Në agim i ndau forcat në tri kolona, të udhëhequra nga vetë Shaboi, gjenerali Verie dhe komandanti i divizionit Le Zhuazël. Nisi përgatitja e artilerisë me buçitjen e njëqind topave dhe kolonat u hodhën në mësymje. Por shqiptarët luftonin të shpërndarë dhe qitja e topave nuk bëri ndonjë efekt të madh. Mësymja e francezëve u prit me batare pushkësh të dendura të vazhdueshme, një zjarr që shkoi duke u rritur si afsh i nxehtë. Kur u zbrazën topat e paktë të Aliut, e tërë ushtria u hodh përpara me jataganë. Ushtarët në ballë mbanin disa koka francezësh të vëna në hunj, binin daullet dhe u bë një zhurmë e madhe me britma e thirrje.

U thye krahu i djathtë i francezëve te Kepi i Stillos. Gjenerali Verie doli në ballë të artilierëve për mësymje me bajonetë, por furia e sulmit armik i hodhi mbrapsht dhe francezët mundën të mbronin tërheqjen vetëm duke i kthyer topat me qitje të drejtëpërdrejtë. Filloi të lëkundej dhe qendra e udhëhequr nga vetë Shaboi. repartet po shkëputeshin, luftonin në grupe. Ushtarët e vjetër të revolucionit u detyruan të zmbrapseshin kundrejt një armiku më të madh në numër dhe që s'e njihte frikën. Ky armik doli te Kepi i Stillos me një depërtim që i ngjante marrëzisë dhe me të njëjtin vrull kaloi lumin Pavël, në ndjekje të trupave të Veriesë. Kjo lëvizje synonte një rrethim të madh.

Filloi tërheqja e përgjithshme dhe vetëm heroizmi i granatierëve mënjanoi katastrofën e plotë. Tre gjeneralët u takuan te kulla e vjetër romake buzë kanalit. Verieja i kishte të shpuara nga plumbat shapkën dhe xhaketën. Dy granatierë e kishin shpëtuar nga duart e shqiptarëve, që desh e kapën të gjallë.
- Ali Pashai juaj përdor taktikë luftimi barbare, i tha Shaboit. - Ai është i imi sa edhe i kryegjeneralit, - tha Shaboi. Ai vetë dhe ndihmësi i tij, Sheferi, mezi kishin shpëtuar nga rrethimi. - Çdo taktikë është e mirë kur të jep fitoren, - tha Le Zhuazëli. Repartet vazhdonin të hidheshin këtej kanalit me trape e varka. Granatierët mbronin tërheqjen në një rreth prej tre kilometrash.

Nxehte dielli i vjeshtës, që po kalonte në perëndim. Nuk lëvizte gjethe në pyllin e dendur. Ajo kishte qenë një ditë me djersë e gjak. Në kolonën e tij Shaboi kishte pasur pesëdhjetë të vrarë dhe njëqind e njëzet të plagosur. Nuk dinte ende sa ishin humbjet e përgjithshme. Mbajti vesh dhe kuptoi se Ali Pasha e kishte ndaluar sulmin. - Ai na nguli thikën në shpinë, - tha. Dy të tjerët nuk folën. S'ishte fjala për thikë në shpinë, dhe duhej menduar për tërheqjen e shpejtë gjatë natës. Ose të kridheshe më thellë në marrëzi dhe të përballoje aty një kasaphanë. Ali Pasha kalonte përgjatë vijës. Deshi të shihte në fytyrë të gjithë të vrarët dhe kërkoi të shkruheshin emrat e tyre. Foli me të plagosurit. "Gjaku juaj do të shpërblehet", - tha disa herë.

Kishte parë me sytë e tij trimërinë e atyre që ranë dhe atyre që mbetën. S'kishin pyetur për topat. Ndërsa hidheshin në lumë si të dehur dhe kridheshin në kënetat, thërrisnin për ta kapur francezin me dorë. "Jemi djemtë e Ali Pashait, pritni pak sa të vijmë!" Binin të copëtuar nga predhat dhe mbi ta kalonin të tjerë. Ç'i shtynte të falnin jetën sikur jepnin lëmoshë?! Vjen një orë që trimëria hapet në turmën e njerëzve si flaka. Hajde gjeje këtë orë. Se vjen një kohë tjetër, kur dikush thërret: "Ikni, oburra!" dhe të njëjtët njerëz marrin vrapin nga ana e kundërt. Ai qe kujdesur për ushtarët, për bukën dhe pagën e tyre. Po kjo s'mund të ishte e tëra. Shkaku duhej të ishte te dëshira e tyre për të dëbuar të huajin. Shkaku ishte te bindja se me Ali Pashën gjithnjë do të fitonin.

Po ta mbante ndezur këtë në zemrat e tyre, po t'ua shpërblente mundin, prapë do hidheshin mbi topat e armikut. Tek shihte të vrarët e të gjymtuarit, ndjeu për të parën herë ligështim e hidhërim, i dukej se kishte pësuar dëme në pasurinë dhe vetë jetën e tij. Në këshillin me komandantët urdhëroi shpërblimin e një viti për çdo të vrarë dhe gjashtë muaj për të plagosurit rëndë. Në mbrëmje francezët ishin mbledhur brenda vijës së dytë të mbrojtjes, buzë kanalit që lidh liqenin me detin dhe rripin e tokës që lidh Butrintin me Sarandën. Në qendër, majë kodrës, ishte kalaja e fortë veneciane me topa që lëviznin në shtretër druri.

I tërë Butrinti, i rrethuar nga tri anë me ujë, ishte si një kala e ngjeshur me njëqind e pesëdhjetë topa fushorë e të rëndë dhe me një garnizon të fuqishëm. Sulmi do të kërkonte gjak sa të skuqej kanali. Duhej pritur. Francezët s'mund të rrinin më tepër se tri ditë, për mungesë të furnizimeve, dhe se tashmë duhej të kthenin kryet prapa, në mbrojtjen e Korfuzit e të Ishujve. Ata ikën natën. Shpërthime të gjata që tundën dheun dhe flakë që skuqën ujërat, u ngritën nga kalaja. Në mëngjes ende tymosnin rrënojat e saj. Ali Pasha u ngjit aty lart. Kalaja qe rrafshuar, topat e rëndë ishin rrokullisur deri poshtë. Po gurët prapë aty ishin. Usta Petroja mund ta ngrinte shpejt kalanë, më të fortë e më të lartë. Një kala tjetër duhej ngritur përtej kanalit.

U ngrit dielli mbi malin e Muzinës dhe deti, që dukej i hirtë, mori ngjyrë të fortë blu, pastaj ktheu në argjend. Ndërsa mendonte për kaltërsinë e pabesë të detit, Aliu thithte ajër. Përtej ishte Korfuzi, si një malësi e ulët ngjyrë tymi e kredhur përgjysmë në ujë. Aty poshtë ishte kanali, që dukej i palëvizshëm. Përtej shtrihej fusha dhe rreth saj brigje të larta, si të mbjella me bimën e bukur të çajit. Vetë Perëndia i kishte falur atij vendi një bukuri të madhe. Por edhe pasuri. Se aty nxirreshin mbi tridhjetë mijë piastra nga peshkimi e dogana. Mbi të gjitha, Butrinti e bënte Aliun pjestar të lundrimit në Jon, rojtar të Korfuzit. Me Butrintin, me përjashtim të një rripi të ngushtë rreth Sarandës, i tërë bregdeti, nga Dukati i Vlorës deri sipër Prevezës, ishte tani nën sundimin e tij. Kishte dalë në det brenda pak muajve...


"Aliu i Janinës dhe Napoleoni i Francës shkojnë bri njëri-tjetrit si tigri me luanin"
(Victor Hugo)