Ali Pashe Tepelena!

Day 2,367, 05:36 Published in Albania Albania by xiilk

Pas artikullit te pare per Selam Musain tani vendosa qe te shkruaj dhe per Ali Pashe Tepelenen. Do te shkruaj here pas here historira dhe kenge per Tepelenen dhe per ata persona qe kane arritur te ngrejne larte emirn e ketij qyteti te vogel. Gazeten time do ja kushtoj plotesisht atdheut tim.Kete gje po e bej per tju njohur me shume me TEPELENEN. Me fillimin e sezonit veror do te publikoj 1 artikull me vendet qe duhet te vizitoni ne Tepelene,qe nese ju bie rruga andej te ndaloni dhe te vizitoni bukurite qe mbart Tepelena.


"Marrja e Prevezës"

Preveza gjendet në skajin që mbyll gjirin e Artës. Në jugperëndim ka detin, në lindje gjirin dhe në veri e lidh me tokën një rrip i ngushtë me ullishta. Në këtë rrip, gjashtë kilometra sipër Prevezës, Perandori Oktav Augusti mundi mark Antonin dhe për nder të betejës së famshme themeloi aty Nikopolin, që me kohë u bë një qytet i madh, kryeqendër e Epirit. Preveza i jepte Aliut daljen në det nga gjiri i Artës dhe e bënte fqinj me ishullin e Lefkadhës. Me rënien e Prevezës, binte edhe Vonica, që ndodhet në kepin tjetër të gjirit. Në gjithë bregdetin dhe në vargun e qyteteve, Preveza ishte për Aliun porti dhe fortesa kyçe. Më 12 tetor, trembëdhjetë ditë pas Butrintit, Aliu kishte mbledhur rreth Prevezës katër mijë ushtarë. Lufta që duhej t'i jepte patjetër fitoren, do të bëhej në rripin e tokës që ngushtohej me detin nga njëra anë dhe gjirin e Artës nga ana tjetër.

Një sulm i lehtë i Myftarit me kalorësinë, që u prit me topa e batare pushkësh, i vërtetoi Aliut raportet e spiunëve. Prevezën e mbronte gjysmëbirgada e gjashtë dhe shtatëdhjetenëntë, gjithsej pesëqind e pesëdhjetë ushtarë francezë. Ishin armatosur, stërvitur e rreshtuar në krah të tyre edhe gjashtëqind qytetarë. Në bregoret dhe në nyjet e mbrojtjes ishin vendosur mbi dyzet topa. Priteshin përforcime nga Suli. Ushtarët dhe gjithë banorët meshkuj hapnin llogore në vijën e parë e të dytë. Kishin ardhur edhe katër kompani xheniere nga Korfuzi. Komandanti i përgjithshëm ishte gjenerali La Salset. Në Prevezë Aliu kishte përkrahësit e tij, parinë e rrëzuar nga francezët me peshkop Injacin në krye. Ashtu siç kishte edhe kundërshtarët më të fortë, kleftët dhe armatolët e arratisur me familjet e tyre, me një ndikim të madh në popullsinë.

Kalonte dorë më dorë një shpallje e Aliut, që thoshte se Preveza ishte e Shqipërisë, premtohej falje për të gjithë, po do t'i pritej koka kujtdo që do t'i kundërshtonte ushtrisë së tij me armë. Kërcënimi, i qartë, i tmerrshëm, drodhi zemrat e qytetarëve. Po ishin të shumtë ata që shpresonin te francezët për të ruajtur gjendjen e tyre si banorë të një qyteti tregtar të lirë. Në shpallje Aliu fliste për qytetet shqiptare, po shumëkush nuk bënte ndonjë dallim ndërmit turkut dhe tij. Aliu i pëshpëriti Prevezës se ishte më mirë të ndërtonin një kanal me ujë në ngushticë. Kjo ua ngriti mendjen qytetarëve, që lanë punën në llogoret dhe filluan kanalin, duke u kapur pas tij si në shpresën e madhe. Francezët humbën disa ditë për të bindur qytetarët të hiqnin dorë nga marrëzia e kanalit. Suliotët, që mund të kishin penguar kalimin në ngushticat e Luros, ndenjën mënjanë.

Aliu kishte paguar Boçarët. Më 13 tetor ai i quajti të kryera përgatitjet dhe nisi sulmin, që do të kërkonte gjak në çdo pëllëmbë, sepse ndeshja do të bëhej në rripin e tokës 5 kilometra të gjatë dhe 1340 metratë gjerë. Hasan Çapari i nxori francezët nga fortifikimet e para në Nikopoli me një sulm rrethimi dhe pas një përpjekjeje me jataganë. Francezët u tërhoqën në rrënojat e vjetra, nëpër të cilat ishte ndërtuar vija e dytë e mbrojtjes. Një kapiten i quajtur Riçmond, ndërmori edhe një kundërsulm me bajonetë, po nuk arriti larg, ra i plagosur dhe njëzet shqiptarë u turrën t'i merrnin kokën. Arriti Myftari dhe e shpëtoi. Ushtarët e tjerë hodhën armët. Me këtë u mbyll 13 tetori, duke u zmbrapsur mbrojtja në vijën rreth Prevezës, që ishte dhe vija e fundit e mbrojtjes. Të nesërmen në agim Aliu vrojtonte sulmin e përgjithshëm nga maja e kodrës Mihaliçeli.

Rripi i tokës përtej Nikopolit ngushtohej edhe më tepër. Në këtë rrip të ngushtë, tej të cilit ishte Preveza, u derdhën taborët radhas. Ishin të heshtur, gjë që tregonte më mirë se britmat do të arrinin atje ku duhej. Më tej filluan të nxitonin në krah të njëri-tjetrit për të dalë në ballë. Në ullishte masa e ushtarëve me shajakët e murrmë e të zinj u zhduk, për të dalë prapë në vend të hapët, para fortifikimeve dhe baterive armike. U duk sikur aty lëvizja u ndal, u end një pezullim, para se të ndodhte përplasja. Ishte koha të shpërthenin topat, po asgjë nuk u ndie. Pastaj diku u ngritën disa thirrje të largëta, që erdhën duke marrë forcë dhe u përhapën në tërë ullishtën. Masa e ushtarëve që kishte dalë prej andej, u shty përpara me flamurët lart, vetëtinë si tehe brisqesh qindra pushkë e jataganë të ngritur lartë.

Kur ushtarët kishin arritur në gjysmën e vendit të zbuluar, krisën topat me qitje të drejtpërdrejtë, vija e sulmit u këput në disa nyja, u pengua, u valavit si e goditur në kokë dhe u rrokullis. Mbi të derdhej tani dhe breshëria e pushkëve, ndërsa vijonte qitja e topave. Ushtria në sulm kishte rënë e gjitha përtokë, duke mbuluar gjakun e vet. Disa ushtarë kërcyen përpara, po disa të tjerë zunë të zmbrapseshin. Po ndodhte një çregullim. - Aty s'ka burra! - tha Aliu. Dukej i qetë, po nën lëkurën e zbardhur të duarve dhe në ballë i kishin kërcyer damarët mavi. - S'ka burra që të dinë si mbërthehet për gryke armiku! - tha prapë. I fliste vetes, si duke nënqeshur, po me frymën të zënë. Lëvizi pak më poshtë që të lironte pamjen nga degët e pemëve, ngriti çibukun, që e mbante të shuar në dorë, dhe i tha tartarit në kalë: - Shko, or bir, te Myftar pasha. Thuaji se sot do të turpërohet përjetë, ose Shqipëria do ta njohë për të birin e Aliut. Le të dalë vetë në ballë.

- Myftari doli nga krahu i majtë i ullishtës. Kali u hodh andej-këndej si i goditur nga drita. Myftari e lëshoi në vrap, i ngritur mbi shalën në tërë gjatësinë e trupit, me jataganin lart. Po sulej përpara, si një kalorësi ngrirë që vrapon. Kërkonte armikun ose plumbin. Prapa tij u ngjeshën treqind kalorës në vrapim të verbër drejt qendrës së mbrojtjes armike. U dëgjuan thirrjet e tyre si vërshëllima të mprehta. Do të arrinin në vend ose do të shuheshin të gjithë. - Epo bij të fatit jemi, - tha Aliu me duart mbërthyer në ijët. Kishte pak shpresa ta shihte të gjallë Myftarin. U koll nga krenaria përtë dhe e ktheu mendjen nga lufta. Ishin çuar më këmbë taborët, me bindjen se armiqtë e Aliut duheshin shtypur dhe se ai do të dilte përherë fitues. E kishte gjakun valë që nga Butrinti. Me thyerjen e qendrës, mbrojtja mbahej në dy fortifikimet rrethore të anëve.

La Salseti hodhi granatierët në ndihmë të qendrës, po tani aty, pas Myftarit, kishte rendur edhe këmbësoria. Ndonjë prevezian përmendi shpalljen e Aliut dhe hodhi armët, u vu të rendte drejt qytetit. Nisi ikja e gjithë prevezianëve. Francezët, ushtarë të regjur, mbroheshin trimërisht, po ikja e përgjithshme i mori me vete. Kur u thyen edhe dy mbrojtjet rrethore të anëve, gjeneral La Salseti ngriti flamurin e bardhë te kulla. Po ngriheshin tymra nga disa anë të Prevezës me dymbëdhjetë mijë banorë. Ushtarët e Aliut vrisnin, plaçkitnin dhe digjnin. Ai shpejtoi nëpër rrugët e qytetit me çohadarët. Preveza ishte e tij, asgjë nuk duhej të prishej. Në pak kohë vuri rregull me ndëshkime të rënda. Ishin vrarë dyqind e nëntëdhjetë e tetë francezë. Robërit, njëqind e dyzet ushtarë, shtatë oficerë dhe gjenerali, kaluan para Aliut. I përshëndeti si burra trima që bënë detyrën dhe i nisi për Janinë. Me La Salsetin, Puatvenë dhe Rozenë i bëheshin tre gjeneralë.

Do t'i niste të gjithë robërit për në Stamboll, si një dhuratë që do të gëzonte vetë Sulltanin. Po mblidheshin prevezianët, që patën marrë armët. Peshkop Injaci, që kishte bërë listat, rrinte në krah të Aliut. Rojat ende vazhdonin të nxirrnin ndonjë të fshehur në bodrume, të kapnin ata që kërkonin shpëtim buzës detit. Kur pushuan ndjekjet, mbi qytet pllakosi heshtja e vdekjes. Robërit kaluan në varg. Aliu rrinte si i ngurosur, duke parë fytyrat e tyre. Lëvizte buzët vetëm për të pyetur emrin e ndonjërit. Robi e dinte se në ato pak çaste i bëhej gjyqi i fundit. Aliu do merrte përsipër një tjetër valë gjaku, si në Hormovë. Do të zhdukte çdo kundërshtim, do të çrrënjoste kleftët. Qytetet e bregut ishin dyert nga dilnin ata nëpër Ishujt. Terrori do të thyente edhe Pargën, çerdhen e tyre. Kurse Preveza, që për nga rëndësia do të ishte e dyta pas Janinës dhe skela e madhe e tregtisë, duhej të pastrohej nga armiqtë, po edhe nga vjedhësit e kontrabandistët.

Banorët që ishin shpërngulur para dhe gjatë luftës, do të zëvendësoheshin me shqiptarë nga Çamëria e vise të tjera. Kleftët dhe prevezianët që ishin vënë haptazi në shërbim të francezëve, katërqind veta, u dërguan te xhelati. Pritej që stuhia e tmerrshme të përhapej më tej, po Aliu shkoi përpara pa hasur në ndonjë kundërshtim. Ngjarjet e Butrintit dhe të Prevezës jehuan në Europë. Rëndësia e tyre u shtua më tepër sidomos në oborret që dridheshin nga Franca. Ali Pasha u quajt "strateg i madh" dhe shqiptarët "luftëtarë të pashoq". I pari që përshëndeti Aliun ishte Fin Nelsoni, kryeadmirali i flotës angleze në Mesdhe. I dërgoi Aliut adjutantin në Prevezë me anije të posaçme për t'i thënë se i vinte keq që s'mund ta përqafonte personalisht heroin e Shqipërisë, po ngadhënjyesi i Abukirit dhe triumfuesi i Prevezës ecnin në rrugë që do takoheshin së shpejti...


(Marrë nga libri i Sabri Godos "Ali Pashë Tepelena", faqja - 126-131.)


Shpresoj qe dhe dikush tjeter nga 1 qytet tjeter i Shqiperise te shkruaj per vendin e tije dhe per heronjte e vendit te tije. Keshtu do te mund te njohim me mire trevat Shqipetare.