MERO BAZE-KE TRADHTUAN DJEMT NGA KOSOVA!

Day 1,729, 23:54 Published in Albania Turkey by banbani85

Shkruan: Mero Baze

Pesë djem të talentuar shqiptarë, që luajnë me ekipin kombëtar të Zvicrës, u vunë para një lumi akuzash nga një grup tifozësh, të cilët duket se morën hov dhe nga një deklaratë e papërgjegjshme e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Ka plot shqiptarë që e kanë vërtet emocion negativ faktin që këta djem të talentuar luajnë kundër ekipit të Shqipërisë, një fat që nuk e kanë kërkuar, por ua ka caktuar një short teknik. Ka të tjerë që e kanë çështje të kulturës së tyre të mangët, por dhe edukim të keq nga klima që krijoi media para ndeshjes. Por më shqetësuese më dukej një valë fyerjesh dhe akuzash ndaj tyre, që zbulonte një antikosovarizëm të fshehur, një lloj racizmi shqiptar, i cili nxirrte kokën në emër të një patriotizmi fals.

Pyetja themelore që dua tu drejtoj këtyre të inatosurve fals me djemtë tanë të talentuar në Zvicër, është se kë tradhtuan ata?

Shqipëria është sot një shtet me 100 vjet histori, që jo vetëm nuk ia ka dalë të integrohet 22 vitet e fundit në standardet e Evropës Perëndimore, por ka mbetur shteti i fundit në Ballkan në këtë rrugëtim të tij të dështuar. Shaqiri, Xhaka, Berhami, Mehmedi apo Xhemajli, janë thuajse 22 vjeçarë, aq vite sa demokracia e brishtë shqiptare. Ata me një mesatare të përgjithshme kanë lindur kur Shqipëria nisi rrugën drejt Evropës. Tani lehtësisht mund të konstatojmë që ata e kanë fituar këtë garë me Shqipërinë dhe janë sot ambasadorët e vetëm krenarë të këtij kombi, pasi deklarojnë që janë shqiptarë duke qenë në elitën e futbollit evropian. Ata, ndryshe nga shteti i tyre amë, e kanë fituar garën me Perëndimin, ndërsa shteti i tyre amë, një pjesë e të cilit shfryn poshtërisht kundër tyre, jo vetëm që e ka humbur këtë garë, por nuk ka as ndonjë shans ta fitojë në të ardhmen e afërt. Atëherë, kë tradhtuan këta djem? Ëndrrën evropiane të shqiptarëve? Jo! Atë e tradhtuam ne. Ne që nisëm rrugën drejt Evropës në moshën e atyre djemve dhe sot e kemi bërë Shqipërinë një pjesë të turpshme të kontinentit dhe njollën e zezë të rajonit.

Kë tradhtuan ata djem? Federatën Shqiptare të Futbollit? Ajo është një nga institucionet e turpit të këtij vendi. Përveçse është një monument i shpallur korrupsioni, përveçse drejtuesit e saj nuk janë të zgjedhur të shqiptarëve, por të Platinisë, i cili ka shantazhuar Shqipërinë për izolim nëse i prekim sekserët e tij në Tiranë, përveçse është një institucion që ka shkatërruar kampionatin shqiptar të futbollit dhe është në konflikt interesi me çdo biznes që lidhet me futbollin, është mbi të gjitha një institucion që në ekipin kombëtar ka vetëm katër shtetas të këtij vendi dhe 7 shqiptarë të Kosovës, ata shqiptarë që i shajmë kur lozin me Zvicrën dhe u kërkojmë lek kur duan të luajnë me ne. Të tradhtosh këtë Federatë është patriotizëm dhe dinjitet.

Kë tradhtuan ata djem? Ngjyrat e ekipit kombëtar? Rastësisht dje pashë se uniforma rezervë është porositur në ngjyrat e flamurit grek dhe jo ndonjë versioni të përafërt me shqiptarët. Por mos i akuzoni për tradhti për këtë gjë. Do ketë qenë çështje lekësh dhe ndonjë pazar me leverdi.

Kë tradhtuan ata djem? Simbolet shqiptare? Ata ndryshe nga ne, që ndonjë herë nuk gjejmë dot as ndonjë flamur për festë, e kanë flamurin shqiptar dhe atë të Kosovës në këpucë, në tatuazhe dhe në çdo vend ku ekspozojnë identitetin e tyre. Si ata ka dhe shumë djem të tjerë të talentuar shqiptarë në Gjermani, Suedi, Finlandë dhe në shumicë janë një pjesë e rinisë shqiptare të Kosovës. Nëse po i ndodh ndonjë gjë e mirë këtij kombi, janë lajmet që vijnë nga brezi i ri i Kosovës në perëndim. Ata kanë sot një nga këngëtaret më të mira në botë, Rita Orën, dhe padyshim një brez të talentuar futbollistësh në klubet prestigjioze evropiane. Kombi ynë pas Nënë Terezës e Ismail Kadaresë nuk ka mundur t’i imponohet këto dy dekada Perëndimit me ndonjë gjë më të mirë se sa brezi i ri i fëmijëve të talentuar të Kosovës. Duke u rritur dhe u bërë të suksesshëm në Perëndim, ata shpesh herë “tradhtojnë” pikërisht vendin që po u jep emër, ndryshe fjala vjen nga Pirro Dhima, të cilit i dha emër dhe titullin kampion Shqipëria dhe pastaj iku në Greqi. Ata vazhdojnë të thonë se jemi shqiptarë, edhe pse suksesi i tyre u dedikohet anglezëve, zviceranëve, gjermanëve, suedezëve etj. Kjo është një tradhti që po ua fal Perëndimi, ndërsa ne shpikim një tradhti që nuk ka adresë për ta. Një turp që mund ta bëjmë vetëm ne. Si shqiptarë!

V+S JU LUTEM NESE JU KA PELQYER SHKRIMI