Dardania dhe disa emra vendesh në Ballkan

Day 1,692, 05:06 Published in Albania Albania by Krye Qendra

Në rajonet shqiptare dhe në ato të sllavëve të jugut një numër i madh i emrave të vendeve derivon prej emrave të bimëve. Njerëzit u vendosën në vende pjellore dhe i emëruan ato prej bimëve që u rritën aty. Në të gjitha rrethinat ku flitet serbisht kam hasur në emra siç është Grahovo (vend i fasuleve), Orahova (i arrave), Jagodina (i dredhëzave të egra), Treshnja ose Treshnjevo (i qershiave), Jabuka (i mollave), Krushevo ose Krushevatz (i dardhave), Vrbitza (i shelgjeve), Bukovina (i ahut) dhe shumë të tjerë janë të rëndomtë. Ngjashëm në Shqipëri gjejmë emrat Arnje (bredha, pisha), Kashtenja (gështenjat), Mela (mollë), Arra (arrë), Chereti (dushk), Kumula (kumbulla), Dardhe (dardha) dhe të tjerë të gjitha duke u shfaqur si emra vendesh. Të gjithë lisat dhe bimët e lartëpërmendura njihen si karakteristika vendore të Evropës Juglindore aq sa unë mund të mësoj, dhe është më se e sigurtë se janë rritur e shtuar kadaldale në të njëjtat vende, të cilat kanë mundur të jenë të pushtuara prej Lekës së Madh, Justinianit, Abdul Hamidit apo Petar Karagjorgjeviçit. Kështu që, mund të gjejmë se disa prej këtyre emra vendesh kanë origjinë antike. Kur dëgjojmë për Ballkanin së pari dijmë se ka qenë i banuar prej shume fiseve me prijësa të pavarur, mirëpo (aq sa informatat tona na lejojnë) shumica e tyre kane folur një gjuhe të ngjashme dhe kishin zakone të ngjashme. Një prej fiseve të rëndësishme ishin dardanët.
Për dardanët mësojmë prej autorëve të ndryshëm klasikë se ishin fis i fuqishëm ilir që zinin pozitë të rëndësishme strategjike. Territoret e tyre shtriheshin në mes luginave të Moravës dhe të Vardarit dhe përgjatë Drinit. Kështu që ata i komandonin udhët për në Danub, Adriatik dhe Egje. Ata shqetësonin maqedonët. Livi jep një sqarim mjaft detajues për luftërat e tyre me Filipin, mbretin e fundit të Maqedonisë me këtë emër (vdiq më 179 para Krishtit). Ishte ai i cili duke provokuar luftë me Romën e solli shkatërrimin e Maqedonisë (Livi , lib. XXXI,c.5). Filipi pasi përgatiti një ushtri që të luftojë romakët “ndërmori papritmas një ekspeditë në territoret e Orikumit dhe Apollonisë (Shqipëria e Jugut) në mënyrë që Maqedonia të mos ngacmohej prej ilirëve dhe qyteteve që i kufizonin përmbi, me pasoja terrorin që synonte mbi ta. Pas shkatërrimit të pjesëve përbrinjëse të Ilirisë ai….mori Sintian, një qytet i dardanëve, që do tu jipte udhëkalim për në Maqedoni. “
Rezultat i kësaj ishte se përderisa Filipi ishte ishte duke luftuar romakët “ai u përball me lajmëtarë që posedonin informata për rrëmuja ende më të mëdha, se dardanët pasi kishin kaluar në Maqedoni kishin në duar Orestisin dhe kishin zbarkuar në fushën e Argesteanit.” Lajmi i vdekjes së Filipit inkurajoi dardanët për këtë sulm. Kështu që Dardanët (Lib XXI,2😎 duke parë se romakët ishin fitues, erdhën, me “disa mbretër të vegjël dhe disa princa, fqinj të maqedonëve, dhe u ofruan ndihmë romakëve kundër Maqedonisë. Konsulli ishte marrë vesh se do të përdorte ndihmën …e dardanëve kur herën tjetër ta drejtone ushtrinë e tij për në Maqedoni.” Në librin XL, c.57 gjejmë Filipin të zemëruar, duke planifikuar t’i shfaros dardanët dhe t’i vendosë “bastarnët në tokat e tyre, kështu që të rrjedhë një përparësi e dyfishtë.” Dardanët si gjithënjë armiq do të eliminoheshin dhe bastarnët do të mund të përdoreshin për ta rrënuar Italinë. Edhe po të shpartalloheshin bastarnët prej romakëve do t’ia vlente “të fitohej trofeja dhe pushtimi i tërësishëm i Dardanisë do të arsyetohej si ngushëllim.” Mirëpo një shpërthim i jashtëzakonshëm i shpërndau bastarnët dhe Filipi vdiq. Më shumë nuk gjej për dardanët te Livi. Mirëpo është evidente se ata ishin një popull i pasur dhe i fuqishëm. Siç është e vërtetë për gjithë ballkanasit ata u lidhën me invaduesin e huaj kundër fqinjëve të tyre dhe më pas e jetuan pendimin. Në kohën e Strabos (ob. A.D. 25) ata thyhen plotësisht e bien nën sundimin romak. Ai përshkruan se si romaket shtyen fiset e pabindura drejt maleve të cilat ishin “ të papërshtashme për bujqësi.” “ Popujt që më herët ishin shumë të fuqishëm janë pakët ose janë reduktuar në pozita më të ulëta; siç jane Boii dhe Scordisci në mes të Galatae dhe Antariatae, Ardaei dhe Dardani në mes të Ilirëve….Ata në fillim u keqësuan për shkak të konflikteve në mes veti “(ajo që zakonisht rrënon fiset, popujt fisnor) “dhe më në fund u rraskapitën nga luftërat me Maqedoninë dhe me romakët.
Ai e përshkruan denjësisht situatën e dardanëve. “ Lumi Drilon (Drin) mund të navigohet deri në Dardanica. Ky vend shtrihet afër popujve maqedon dhe paeonian …dardanëve u përkasin edhe Galabrii…dhe Thuniatae, të cilët i afrohen në lindje Maesi, fis trakas… Dardanët janë njerëz krejtësisht të egër, sa që mihin shpella nën togje plehu në të cilat banojnë. Mirëpo ata duan shumë muzikën dhe luajnë me gajde dhe me instrumente me tela. Ata i banojnë pjesët e brendshme të vendit dhe ne do t’i përmendim njëherëe tjetër.” (Strabo, libVII.et seq.). Por për fat të keq të tjerat janë humbur.
Dardanët në kohën e Strabos ishin në gjendje të mjerueshme. Ata fuqishëm mi kujtojnë bullgarët e djegur të Maqedonisë më 1904. Vazhdimisht i kam gjetur grupe grash të ngjethura me kambe të djegura e të groposura gjer në kofshe në grumbull plehu me shprese se do të gjejnë pak ngrohtësi. Ato ishin gjysmë lakuriqe, pa kulm dhe të pambrojtura nga era e thatë. Të tjerat të grumbulluara në ahrije, nëse mund të gjindeshin diku. Dardanët pasi që ishin të mposhtur nga romakët kanë qenë padyshim në të njëjtën pozitë. Dhe si fshatarët e tanishëm ballkanas në rast mizorie të ashpër afroheshin rreth njërit prej tyre që këndonte për të kaluarën e tyre heroike. Plus ça change c’est la méme chose! Dardanët s’do të mund të kishin patur instrument me tela më primitiv sesa lahuta që ende i bihet në vendet tyre të mëhershme.
Hartat e Ptolemeut (rreth 140 pas Krishtit) këtu japin pozitën e Dardanisë. Skica shoqëruese (fig.1) prej botimit të Ptolemeut nga Margini, më 1621, edhepse pas shumë shtrembërimeve jep një ide mjaft të qartë dhe tregon se është zgjeruar në veri të Nishit. Më vone në kohën e Dioklecianit (313 pas Krishtit) Dardania bëhet provincë romake me Naissus si kryeqytet. Diokleciani ishte prej gjaku ilir, fakt ky i cili mund ta ketë shtyrë që ta mbaj emrin ilir


Fig 1. Harta e Ptolemeut qe tregon Dardaninë

Emri është shuar tash në kohët e fundit. Dardania gjendet në formë trekëndëshi në hartën që e posedoj të vitit 1610, “ prej John Speed, të shitur prej Roger Rea në Cornhill.” Përfshin Nishin dhe Shkupin. Dhe “Dardaniae Deserta” është e shkruar përgjatë një copë toke që shtrihet mu në midis të gadishullit në hartën e publikuar në “ Norimberga 1770”.
A kanë lënë gjurmë dardanët ndonjë shenjë në tokën e sotme?
Nëse, siç sugjeroj unë, ne mund ta nxjerrim emrin Dardania prej një fjale ilire që do të thotë “dardhë”, fjalë e njëjtë me fjalën e sotme shqipe “dardhë”, atëherë me siguri se kanë lënë gjurmë. Ekzistojnë tri Dardha në Malësi afër Drinit, i cili në ditët e Strabos ishte i navigueshëm (i lundrueshëm) deri në Dardani.
Unë besoj se kjo pjesë e vendit duke qenë malore ka qenë vazhdimisht e banuar me njerëz të gjakut shqiptar (gjegjësisht ilir) dhe ka qenë vazhdimisht shqipfolëse.
Fushat prapa Drinit ranë tërësisht nën sundimin serb për një kohë të gjatë dhe tash është rikthyer prapë nën Serbi. Këtu poashtu ka shumë emra dardhash, mirëpo janë serbizuar si p.sh. Krushevo dhe Krushevatz. Harta shoqëruese(fig.2) i jep ato kryesoret të cilat biejnë brenda Dardanisë së vjetër.


Fig 2-Skicë që tregon emra modern të emëruar sipas dardhave

Një prej tyre e cila quhej Krusha e vogël, kur pata kaluar andej në vitin 1908, ishte formë në tranzicion, “krusha” duke qenë serbe dhe “e vogele” shqiptare – dardha e vogël. Sot me siguri është bërë “Krusha mala”- prapë serbe. Dardha e egër është e përhapur në këto vise, e fortë dhe e regjur, (ashpër), por me shije dardhe. Forma “e kultivuar” (shartuar) është shumë më e mirë. Dardha përdoret si shenjë qëndisëse tradicionale. Prej dy shembujve që jap (Fig. 3 dhe 4) “dardha e vogël” zakonisht qëndiset në skajet e këmishave të grave malazeze. Modeli më i madh dhe i denjë është boshnjak dhe tregon frutin, degët dhe gjethet shumë qartë. Asnjëra nuk vjen saktësisht prej regjionit dardan. Ndërsa ajo malazeze është diku afër. Ato tregojnë rëndësinë e dardhave në Ballkan.
Emri i familjes së Papa Sixtus V. (1585-1590) ishte Peretti. Ai ishte fëmijë refugjati i ardhur prej “një vendi në Schiavonia” të quajtur Krushevo, të cilin e italianizuan dhe e adoptuan. Nuk kam mundur ta identifikoj atë Krushevo për të cilin bëhet fjalë.


Fig 3. Model dardhe në Mal të Zi


Fig 4. Model dardhe ne Bosnjë

Përshkrim i fig.3 dhe 4.
Fig.3
Krushka mala – dardha e vogël – punohet si skaj i këmishave të grave malazeze me material të trashë pambuku në kryq të qepur në mëndafsh – të kuq, të gjelbër, të zi, të kaltër e duke u përsëritur me radhë . Është sa dy herë madhësia natyrore e dardhës.
Fig. 4 Shenja e dardhës e punuar në qepje të kryqtë me lesh llullaq në mëngët e këmishave të grave, shenja përsëritet drejtpërdrejt dhe mbulon materialin që është pambuk i vrazhdë. Është e blerë në Jaica, Bosnjë (1906). Pak më e madhe se madhësia natyrore.