Luftërat e dardanëve kundër maqedonasve

Day 2,198, 13:33 Published in Albania Poland by udkmAlbania

Rreth vitit 21 p.e.sonë luftimet ndërmjet dardanëve dhe maqedonasve morën përmasa të gjera, aq sa mbeti i vrarë në betejë edhe mbreti maqedonas Demetri II. Pas vdekjes së tij, dardanët i shpeshtuan sulmet në ;maqedoni, derisa Antigon Dozoni i detyroi të largoheshin nga mbretëria e tij. Kur mbreti maqedonas Filipi V ndodhej në luftë me grekët, në vitin 219 p.e.sonë, dardanët vërshuan përsëri kundër Maqedonisë. Ushtritë maqedonase u detyruan të ktheheshin në trojet e tyre dhe për të përforcuar kufijtë veriorë, pushtuan qytetin më të madh të Paionisë, Bylazorën (Velesi). Në vitin 216 p.e.sonë ushtritë dardane ndërmorën një operacion të fuqishëm ushtarak kundër Maqedonisë, duke zënë 20 000 robër. Ata zbritën deri në fushën e Argos, në brigjet e lumit Haliakmon. Kjo fushatë u ndoq nga kundërsulme të reja që bëri Filipi V kundër dardanëve, duke u shkaktuar atyre humbje të rënda në ushtri. Në vitin 200 p.K. mbretërit dardanë Longar e Bato, së bashku me ardianët e mbretër të tjerë, lidhën aleancë me romakët kundër Maqedonisë. Kjo i shtyu dardanët të ndërmerrnin sulme të reja në jug të kufirit të tyre. Dardanët nuk i pushuan luftërat për të çliruar tokat që ndodheshin në jug të mbretërisë së tyre, toka që dikur i përkisnin Mbretërisë Paione dhe që i mbante të pushtuara Maqedonia, duk u mbyllur kështu atyre rrugët tregtare që i lidhnin me krahinat jugore të Ballkanit. Duke mos qenë në gjendje të ndërprisnin sulmet dardane, maqedonasit bënë marrëveshje me fiset kelte të bastarnëve dhe të vendoseshin vetë në tokat e tyre. Kjo gjë nuk u arrit. Dardanët i thyen ushtritë kelte dhe çliruan tokat që ata kishin pushtuar. Edhe pasi u shkatërruan Mbretëria Ardiane dhe ajo e Maqedonisë. Dardania vazhdoi të ishte ende e lirë, ndonëse nga aleanca me romakët dardanët nuk arritën përfitimet e dëshiruara. Romakët nuk u dhanë tokat e Paionisë, por vetëm të drejtën për të tregtuar kripë.